Kuvendi i Kosovës, seancë për masakrën në burgun e Dubravës
Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë të veçantë kushtuar 20 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës....

Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë të veçantë kushtuar 20 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës, ku janë vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe 300 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Kjo masakër ka qenë e planifikuar nga shteti serb, deklaroi një nga të mbijetuarit e masakrës, deputeti, Nait Hasani, sipas të cilit masakra e Dubravës ishte një nga masakrat më të tmerrshme të vitin 1999.
“Ne mendojmë se qëllimi i masakrës ka qenë i planifikuar mirë, që nga udhëheqja qendrore e Serbisë deri te gardianët e burgut të Dubravës. Këtë e dëshmon mbledhja e të burgosurve në burgun e Dubravës që ma sollën mua dhe 63 të tjerë nga burgu i Mitrovicës së Sremit, Nishit, Prizrenit, Gjilanit, Pejës dhe të zënë robër lufte nga tërë Kosova, na mblodhën nga 29 prilli 99 deri nga mesi i majit. Këtë mbledhje të të burgosurve ishte mish për tokë, sepse Serbia e kishte bërë pistën e avionëve pas tërheqjes së të burgosurve shqiptarë nga burgje tjerë. Për ta mbrojtur këtë strukturë raketore dhe kur NATO të sulmojë këtë burg, ndërkohë që policia serbe kishte dalë jashtë e ne na kishin lënë brenda mbi 960 të burgosur”,- deputeti, Nait Hasani.
Ndërsa kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ka ardhur koha që Kosova të ndërmarrë hapa institucionalë për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës dhe krimet e bëra nga Serbia.
“A është e nevojshme që shteti i Kosovës vetëm të vajtojë, kryetari i kuvendit, kryeministri, presidenti, deputetët, ministrat, të flasim e të sjellim çdo herë vetëm fakte, të cilat të gjithë i dimë. Jeni ju. Janë gjëra të cilat i kemi parë, i dimë ka dy dekada. Apo, t’u japim një mesazh, që ne nuk vajtojmë, ne nuk jemi institut i statistikave me i numëruar plagët tona. Por, ne veprojmë institucionalisht”,- tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Nga ky burg është zhdukur edhe veprimtari i shquar, Ukshin Hoti, i cili vazhdon të rezultojë i zhdukur. Për këtë masakër është bërë kallëzim që nga 19 janari i vitit 2007, por edhe prokurorët e UNMIK-ut dhe EULEKS-it edhe ata vendorë kanë zgjedhur të heshtin për këtë masakër.
Masakra e burgut të Dobravës ka ndodhur prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999 dhe dyshohet se u vranë prej 120 deri në 150 të burgosur shqiptarë, derisa u plagosën 300 të tjerë. (Gyltene Sinani, TVM2)
