Rasti “Titanik”, vazhdon prezantimi i dëshmive

21.05.2019 18:51

Me prezantim të dëshmive materiale ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore për rastin “Titanik”...

Me prezantim të dëshmive materiale ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore për rastin “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike, që ka të bëjë me parregullsi zgjedhore. Rasti vijon në procedurën e dëshmive dhe deri tani janë prezantuar 2750 nga 5900 materiale të propozuara si dëshmi nga ana e PSP-së.

Edhe në këtë seancë prokurorja speciale, Lile Stefanovska, prezantoi dëshmi për keqpërdorimin e mjeteve financiare për financimin e kampanjës të një partie politike në vitin 2013, ndërsa bëhet fjalë për dëshmi materiale, gjegjësisht fletëpagesa origjinale nga banka të kryera nga persona fizikë dhe juridikë.

Për këtë rast, përpos ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, që kërkon azil politik në Hungari, të akuzuar janë edhe Gordana Jankullovska, Biljana Brishoska Boshkovski, Lleko Ristovski, Kirill Todorovski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Alleshkoviq dhe Llenka Rashajkovska. 

Të gjitha këta janë të dyshuar për veprën “shoqërim kriminal”, “shkelje të së drejtës së votimit”, “shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve”, “ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit”, “shkatërrim i materialit zgjedhor” dhe “keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore”. (Zekirja Mexhiti, TVM2)