Botë
ShBA: Nuk dëshirojmë luftë me Iranin
22.05.2019 12:13
Zyrtarët e lartë të administratës amerikane i thanë Kongresit se përgjigjja e Uashingtonit....

Zyrtarët e lartë të administratës amerikane i thanë Kongresit se përgjigjja e Uashingtonit ndaj kërcënimeve të supozuara iraniane shmangu sulmet ndaj forcave amerikane. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, thanë se objektivi i tyre gjatë ditëve të fundit ka qenë të dekurajojnë Iranin. Tani administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, kërkon të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm, tha Shanahan.
"Kjo ka të bëjë me parandalimin, jo me luftën, nuk kemi për të shkuar në luftë", u tha ai gazetarëve. "Fokusi ynë më i madh në këtë pikë është parandalimi i gabimeve të Iranit. Ne nuk duam që situata të përshkallëzohet", tha Shnahan.
Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar që nga viti i kaluar kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje e rëndësishme mes Iranit dhe fuqive botërore, e cila frenoi programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike. Teherani ka hedhur poshtë akuzat e ShBA-së.
Situata në Iran u diskutua përmes telefonit nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi zyra e Merkelit përmes një deklarate më 21 maj. Rusia, Franca dhe Gjermania, së bashku me Britaninë dhe Kinën janë pjesë e marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin.
