Maqedoni
Bashkëpunimi Maqedonia e Veriut - Mali i Zi, mbledhje e përbashkët e dy qeverive më 22-23 maj
22.05.2019 15:17
Qeveria vazhdon të angazhohet në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal. ..

Të enjten dhe të premten mbahet mbledhja mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, që vjen pas mbledhjeve të përbashkëta qeveritare edhe me Serbinë dhe Shqipërinë.
Por, nga ekzekutivi nuk kanë një datë të qartë së kur do të mbahet mbledhja e përbashkët edhe me Kosovën. Zëdhënësi Hoxha thotë se parashihet të ndodhë së shpejti pa saktësuar se kur.
“Mbledhje të përbashkët kemi pasur me Qeverinë e Serbisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe më 23 dhe 24 maj mbahet mbledhje me Malin e Zi. Presim që një seancë e njëjtë të mbahet edhe me qeverinë e Kosovës”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë së RMV-së, Muhamet Hoxha.
Në kuadër të bashkëpunimit me fqinjët është edhe dhe miratimi i marrëveshjes mes RMV-së dhe Shqipërisë për hapjen e qendrave reciproke informative kulturore.
“Hapja e këtyre qendrave kulturore informative do të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit në sferën e kulturës, në mes dy vendeve”,- tha zëdhënësi i Qeverisë së RMV-së, Muhamet Hoxha.
Teksa përgatitet për mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Malit të Zi, ekzekutivi bëhet gati edhe për ngjarje të tjera të rëndësishme në rrugëtimin eurointegrues.
Më 2 dhe 3 qershor Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe anëtarët e Këshilli Veriatlantik.
Vizita e qershorit është vizita e parë e Stoltenbergut dhe përfaqësuesve të lartë të NATO-s në vendin tonë, pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Aleancë.
Protokolli deri tani është ratifikuar prej 13 nga 29 vendet anëtare. Pas ratifikimit nga ana e të gjithë aleatëve, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.
ERSAN PAJAZITI
