Maqedoni
Ligji për gjuhët, Hoxha: Të respektohen afatet dhe standardi
22.05.2019 15:32
Qeveria pret që institucionet të respektojnë afatet ligjore për vendosjen.....

Qeveria pret që institucionet të respektojnë afatet ligjore për vendosjen e tabelave në dy gjuhë para institucioneve shtetërore. Por, përveç respektimit të dispozitave kohore të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, patjetër duhet të respektohet edhe përdorimi i shqipes sipas standardit, thotë zëdhënësi qeveritar, Muhamed Hoxha. Ai përkujton se tashmë ka institucione që duhen konsultuar në mënyrë obligative.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve vlen për të gjithë, për të gjitha institucionet në RMV. Përdorimi i gjuhës shqipe duhet të respektohet nëpër të gjitha institucionet dhe tabelat duhet të shkruhen në gjuhën shqipe, maqedonase dhe gjuhën angleze. Të gjitha emrat të cilat obligohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe njëkohësisht janë të njoftuar dhe konsultuar edhe institucionet përkatëse për atë se si duhet të jetë emri i institucionit në këtë rast edhe në gjuhën shqipe”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
