“Fshesa” e Zaevit, Hani: S’lejojmë që Zaev të përzihet në kuadrot tona

22.05.2019 16:16

BDI dhe Alternativa, partnerë të koalicionit qeveritar të kryeministrit Zaev....

BDI dhe Alternativa, partnerë të koalicionit qeveritar të kryeministrit Zaev, përkrahin riformatimin e qeverisë të paralajmëruar nga kreu i ekzekutivit. Zëvendëssekretari i qeverisë, Tahir Hani, në “Argument” në TVM2 ka deklaruar se ndryshimet duhet pranuar si të zakonshme për përshpejtimin e proceseve. Por, Hani është shprehur kategorik se BDI nuk do të lejojë që Zaev t’u përzihet në përzgjedhjet e partisë.

“BDI është një parti e fuqishme, një parti e cila merr vendime autonome dhe në këtë drejtim në asnjë moment dhe në asnjë kohë nuk ka lejuar që dikush tjetër të imponojë politikat e saj. Kuadrot e BDI-së i përcakton kryesia e BDI-së, i përcakton kuvendi i BDI-së, i përcaktojnë organet e BDI-së. Kuptohet që bisedimet, zhvillimet, orientimet politike i zhvillon lideri ashtu siç zhvillohen në të gjitha partitë politike”,- tha Tahir Hani nga BDI.

BEXHETI: RIFORMATIMI DO TË PREK EDHE FUNKSIONARËT E BDI-SË

Shkarkimet sipas Aleancës për Shqiptarët vijnë si pasojë e ngecjes së reformave në drejtësi, gjyqësor dhe ekonomi dhe presin që “fshesa” e Zaevit të marrë me vete edhe funksionarë të BDI-së.

“Nuk kemi ne llogaridhënie të gjykatësve, nuk kemi procedura të zgjidhura, d.m.th. aktgjykime për shumë raste të cilat i kemi dëgjuar nga “bombat” që dikur i shfaqi kryeministri Zaev. Nëse ndër elementet bazë të kapitullit 23 është lufta kundër korrupsionit, le të më tregojë një rast se dikush se cili politikan të pushtetit të kaluar sot ndodhet në burg. Dhe kur e përmendim “fshesën” e Zaevit, unë ju garantoj se do t’iu marrë disa ajo “fshesa” përpara, sepse BDI nuk ka fuqi politike të çojë inat në këtë aspekt se pse në sirtaret e gjykatës ka padi, dyshime për raste të përfshira në korrupsion dhe krim të organizuar”,- tha zëdhënësi i ASh-së, Flakron Bexheti.

MEMEDI: DO TË DREJTOJMË MINISTRI RELEVANTE ME KULTURËN

Edhe nga Alternativa nuk besojnë se do të humbasin sektorin e kulturës, por nëse kjo ndodh, do të drejtojnë ministri me të njëjtën relevancë.

“Për faktin që ne kemi dëshmuar për potencialin kadrovik që kemi edhe për njerëzit të cilët dinë të menaxhojnë, kuptohet që do të kemi një resor i cili së paku do të jetë ekuivalent për nga pesha politike me resorin e kulturës, por kjo ngelet hipotezë e cila do të varet nga rrjedha e bisedimeve”,- tha deputeti i Alternativës, Rexhep Memedi.

SELIMI: NDRYSHIMET, PASOJË E MUNGESËS SË BENIFITEVE

Sektori civil kërkon që puna e ministrave të raportohet publikisht, pasi qytetarët nuk po vërejnë benifite konkrete.

“Me gjasë ndoshta e ka kuptuar zoti Zaev se qytetarët presin ndryshime reale që do të mund t’i ndjejnë drejtpërdrejtë. Ne si qytetarë dhe realisht ne si qytetarë, ditë e përditë nuk shohim që ndryshimet të jenë të prekshme drejt qytetarit dhe ju sot keni një emigrim të këtillë siç e keni në Maqedoni. Kjo është një temë që qeveria nuk i ka kushtuar pothuajse asnjë qasje serioze”,- tha Sefer Selimi nga OJQ.

Përderisa pushteti shprehet optimist për marrjen e datës në qershor ose korrik, Aleanca për Shqiptarët pesimiste në këtë drejtim përderisa ligjet e miratuara edhe nuk zbatohen në praktikë. (Meral Ismaili, TVM2)