Maqedoni
Kuvend, miratohet pakoja e ligjeve nga sfera e sigurisë
22.05.2019 17:18
Me shumicë prej 2/3 dhe pa kundërshtime, kuvendi miratoi pakon e ligjeve nga fusha e sigurisë...

Me shumicë prej 2/3 dhe pa kundërshtime, kuvendi miratoi pakon e ligjeve nga fusha e sigurisë, përkatësisht Ligjin e Agjencisë për Siguri Kombëtare për koordinimin e njësive të sigurisë për ndjekjen e komunikimeve dhe Ligjin për punë të brendshme.
Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, tha se me miratimin e këtyre ligjeve po hapet një kapitull i ri në funksionimin e institucioneve të sigurisë.
“Me miratimin e këtyre ligjeve, Maqedonia hap një kapitull të ri në punën e këtij shërbimi. Shërbim i cili nuk do të jetë i paprekur, i mbyllur dhe nuk do të kundërshtojë thirrjet e kuvendit për të biseduar për kompetencat që i ka. Shërbim i cili do t’i mbrojë interesat nacionale dhe jo ato individuale dhe partiake”,- theksoi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
Miratimin e ligjeve e kanë mbështetur të gjitha grupet parlamentare.
“VMRO-DPMNE-ja ka dhënë kontributin e saj për përpilimin e teksteve të këtyre ligjeve. Në Ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare është siguruar mbrojtje e lirive dhe të drejtave të njeriut, më shumë kontroll mbi punën e shërbimeve dhe respektim i dispozitave për mënjanimin e konflikteve të interesave”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
“Përpara kemi një ligj që në masën më të madhe ngërthen vërejtjet si të sferës akademike profesionale si të shumicës parlamentare, po ashtu me dhjetëra amendamente të pranuara të propozuara nga opozita. Jam i bindur se miqtë tanë në Bruksel i gëzohen këtij konsensualiteti. Para nesh kemi ligjin më të mirë të mundshëm deri tani”,- tha Xhevat Ademi nga BDI.
“Besoj se këtë të kaluar që e kanë pasur qytetarët e vendit, por para së gjithash shqiptarët duhet të jetë e kaluar e RMV-së dhe me krijimin e këtyre institucioneve të reja me të vërtetë të hapet një perspektivë e re në sferën e sigurisë, ajo që është misionin i këtyre institucioneve të sigurisë, ata duhet ta kryejnë, por mbi të gjitha duhet të mbrojë interesat e qytetarëve”,- theksoi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
Deputetja, Frosina Remenski, nga LSDM tha se për herë të parë me këtë ligj rregullohen kompetencat e këtij institucioni, por çështjet e hapura lejnë dyshime për besueshmërinë e reformave.
Ndërkaq, Emilija Aleksandrova nga grupi i pavarur të VMRO-DPMNE-së, tha se dëshiron sukses në proces dhe të besojë se ballafaqimi me problemet e vjetra nuk do të jetë i pranishëm.
NAIM RAMADANI
