Maqedoni

Kompletohet kabineti i presidentit, Musliu në krye të Agjencisë së Inteligjencës

22.05.2019 17:29

Presidenti, Stevo Pendarovski, e kompletoi përbërjen e kabinetit të tij...

Si drejtor të Agjencisë së Inteligjencës zgjodhi Eroll Musliun, i cili më herët ka punuar në DSK, ndërsa në Agjencinë e Zbulimit ka qenë ndihmës-drejtor për koordinim të çështjeve operative.
 
Këshilltar i sigurisë kombëtare është zgjedhur Blerim Kolari, i cili paraprakisht ka punuar në misionin e NATO-s në Shkup dhe Ambasadën e SHBA-ve në Shkup.
 
Në sferën e politikës së jashtme, këshilltarë të jashtëm do të jenë ish-shefat e diplomacisë, Aleksandar Dimitrov dhe Denko Maleski, dhe ish-ambasadori në Austri, Sasho Tavçiovski.
 
Këshilltar të jashtëm për punët ligjore do të jetë edhe profesoresha, Besa Arifi, dhe ish-gjykatësja në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Marijana Lazarevska Trajkovska.
 
Sekretar i përgjithshëm i presidentit do të jetë Mile Boshnjakovski, i cili deri tani e ka ushtruar funksionin zëdhënës i Qeverisë, ndërsa shefe e protokollit do të jetë Biljana Micevska.
 
Përgjegjëse për marrëdhëniet me opinionin do të jetë Katerina Canevska. Aleksandar Spasov, si konsultant i jashtëm, do ta ushtrojë funksionin e këshilltarit për politikë të brendshme dhe të jashtme.
 
Këshilltarë në kabinet do të jenë edhe Luljeta Ademi, Toshe Zafirov dhe Goce Karajanov.
 
Pendarovski në ditët në vijim do të emërojë edhe anëtarët e Këshillit Nacional për Siguri të cilin e përbëjnë kryetari i shtetit, kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe ministrat që udhëheqin me organet shtetërore për siguri, mbrojtje dhe punë të jashtme, si dhe tre anëtarë që emërohen nga presidenti.
 
Nga Presidenca bëjnë të ditur se dokumentet, vulat dhe vendimet që do të mbajnë nënshkrimin e presidentit, do të jenë në dy gjuhë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI