“Vetingu” i BDI-së, Grubi: Nuk na duhen politikanë të korruptuar
Nga BDI kanë sqaruar sot nismën për procesin e vetingut...

Nga BDI kanë sqaruar sot nismën për procesin e vetingut. Sekretari organizativ i partisë, Artan Grubi, sqaron se ky proces do t’i përfshinte të gjithë funksionarët partiakë. BDI, sipas tij, po përgatit një projekt/ligj që së shpejti do të dorëzohet në Kuvend.
Sqaron se integristët besojnë që pas këtij procesi, në një institucion nuk do të ketë vend për politikanë të korruptuar apo për gjykatës që marrin vendime selektive. Por, Grubi ka potencuar se vetingu i BDI-së nuk ka asnjë pikë të përbashkët me “fshesën” e Zaevit.
Vetingun në BDI do ta mbikëqyrin nënkryetarët dhe sekretarët e partisë.
“E para është vetingu për t’u bërë anëtar i strukturave të BDI-së, kurse pjesa e dytë e ventingut është për individ i cili pretendon të bëhet funksionar për t’i shërbyer qytetarëve. Ky veting duhet të bëhet institucional të cilin pretendojmë ta bëjmë nëpërmjet të një propozim ligji të miratuar në Kuvend, i cili do të jetë një proces i kontrollimit të figurave të propozuara për funksionarë, qofshin ato ministra, deputetë, kryetar komune, drejtor, sekretar shtetëror, pra çdo funksion publik që pretendon t’ju shërbejë qytetarëve të kalojë nëpërmjet një procesi të vetingut, i cili do të konfirmojë pastërtinë e secilës prej figurave që do të zgjidhet. Kjo është nismë e BDI-së jemi në proces të draftimit të propozim ligjit. Sapo ta kemi draftin e parë fillestar, do ua prezantojmë edhe partive politike, por që nuk besoj se do të ketë ndonjë parti politike e cila do të jetë kundër pastërtisë së të gjitha figurave që pretendojnë të udhëheqin me shtetin dhe me institucionet e vendit”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
