Shqipëri, studentët rikthejnë protestat, shtohen kërkesat
Studentët në Shqipëri u janë rikthyer pas 5 muajsh protestave...

Studentët në Shqipëri u janë rikthyer pas 5 muajsh protestave, kësaj here me flakadanë. Edhe pse kishin thirrur protestë kombëtare, të pranishëm ishin vetëm studentët e universiteteve të Tiranës.
Gjatë protestës studentët kanë shtuar edhe 5 kërkesa të tjera, të cilat sipas tyre nuk figurojnë në paktin për universitetin të publikuar nga kryeministri, Edi Rama. Bëhet fjalë për rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë, arsim cilësor për të gjithë të rinjtë, duke i mundësuar mbështetjen financiare, rankimi i programeve sipas modeleve më të mira bashkëkohore, rritja e peshës së përfaqësimit në institucionet e arsimit të lartë dhe autonomi reale të universiteteve. Studentët i lanë qeverisë 24 orë afat për t’u kthyer përgjigje.
Protesta e parë e studentëve është mbajtur në dhjetor të 2018 dhe zgjati deri në muajin janar. Pas protestave intensive, ata u tërhoqën pas premtimit të kryeministrit për zgjidhje të problemeve në masën 100 për qind. (Luljeta Ndoka, TVM2)
