Kulturë
Eurovizion korrigjon gabimin, Tamara e para nga juria, e shtata në finale
23.05.2019 09:27
Eurovizioni korrigjon gabimin nga vota e Bjellorusisë, Tamara e para nga juria, e shtata në finale....

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut për konkursin e këngës në Eurovizion, Tamara Todevska, është në pozitën e parë sipas votave të jurisë dhe e shtata në finalen e Eurovizionit.
Sipas raportit në ueb faqen e Eurovizionit, është bërë gabim në numërimin e votave të jurisë të Bjellorusisë.
“EBU mund të konfirmojë se pas kontrollit standard të rezultateve, ne kemi vënë re se është bërë një gabim gjatë grumbullimit të pikëve. Kjo nuk ka asnjë ndikim në përllogaritjet e pikëve të marra nga televotimi i 41 vendeve pjesëmarrëse dhe fituesit të përgjithshëm, si dhe në radhitjen e katër këngëve të para në këtë konkurrim”,- citohet në ueb faqen e EBU-së.
Këtë lajm e publikoi edhe Tamara Todevska në profilin e saj në facebook.
“Çfarë lajm i mrekullueshëm. EBU sapo konfirmoi se për shkak të një gabimi në votimin e Bjellorusisë, vendi ynë është i pari nga votimi i jurisë dhe i shtati në finalen e Eurovizionit. Nuk mund t’ju them se sa e lumtur jam. Ju dua të gjithëve!”,- shkruan Tamara.
Për një vend ka avancuar edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Jonida Maliqi, e cila nga pozita e 18, tani është radhitur e 17.
Sipas rezultateve të votimit të jurisë dhe televotimit të 41 vendeve pjesëmarrëse në Eurovision 2019, i cili u mbajt të shtunën në Tel-Aviv të Izraelit, përfaqësuesi i Holandës u shpall fitues i Eurovizionit, ndërsa përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, Tamara, me këngën “Proud” u rendit në vendin e tetë.
