Botë

Samiti i NATO-s, Aleanca mblidhet më 3-4 dhjetor në Londër

23.05.2019 10:28

Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Londër....

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e cilësoi  takimin si një shans “për të adresuar sfidat aktuale dhe të reja të sigurisë”. Sipas tij, Londra, ku ka qenë selia e parë e NATO-s, është një vend i përshtatshëm për të shënuar 70 vjet të bashkëpunimit ushtarak transatlantik.
 
Takimi i Londrës vjen në kohën e tensioneve të vazhdueshme midis NATO-s dhe Rusisë dhe shqetësimeve rreth përkushtimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj aleancës. Trump ka thënë se anëtarët evropianë të NATO-s nuk shpenzojnë mjaftueshëm për forcat e tyre të armatosura.
 
Britania dhe 11 vende të tjera e krijuan aleancën ushtarake perëndimore në vitin 1949. Ajo ka tani 29 shtete anëtare dhe selia e saj është në Bruksel. Maqedonia e Veriut pret ratifikimin e protokollit për anëtarësim për t’u bërë anëtarja e 30 e Aleancës më të fuqishme ushtarake të botës. 
 
GYLTENE SINANI