Negociatat me BE-në në qershor, skepticizëm në Francë për zgjerimin e Unionit

23.05.2019 14:33

Qershori po afrohet, por Franca nuk është optimiste se BE....

Qershori po afrohet, por Franca nuk është optimiste se BE duhet zgjeruar me dy vendet ballkanike këtë moment. Partia e presidentit francez, Emanuel Macron, vazhdon të kundërshtojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

“Këtë qershor do të jetë një Jo e prerë” - ka thënë në një intervistë për radion franceze RTL, ish-Ministrja franceze për Çështjet e Europës, Nathalie Loiseau, që kryeson listen e partisë për zgjedhjet europiane. Sipas saj, hapja e negociatave është një veprim i pamundur,  të paktën kur flitet për qershorin. Ajo madje ka treguar se si ka bllokuar hapjen e negociatave në vitin 2018.

“Ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë, isha unë si ministre. Vendimet brenda BE merren në unanimitet. Franca luftoi për tetë orë në atë mbledhje për të bindur partnerët që të thoshin jo. Këtë e bëri vetë edhe presidenti Macron. Ju mendoni se ai ka ndryshuar mendim për një vit”,- ka replikuar ajo me kundërshtarët politike qe e akuzonin se Macron do hape negociatat me dy vendet e Ballkanit perëndimor. Prononcimi i saj është i mbështetur dhe nga partia opozitare republikane.