Konferencë “Kapitulli 23: Ankorimi apo lundrimi i Maqedonisë”
Vendi është i gatshëm të nisë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian...

Vendi është i gatshëm të nisë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, konstatuan disa nga pjesëmarrësit në konferencën me temën "Kapitulli 23: “Ankorimi apo lundrimi i Maqedonisë", i organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Simonida Kacarska, drejtoreshë e Institutit për Politikë Evropiane tha se vendi ka zgjidhur çështjen e emrit dhe po punon për harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së. Sipas saj, negociatat duhet të shihen si proces që mund t’i ndihmojë vendit të arrijë qëllimin final, përkatësisht anëtarësimin në BE.
“Shpresoj se nëpërmjet konferencës t'u bëjmë apel shteteve anëtare të BE-së se mënyra e vetme për të mbështetur më tej proceset transformuese të vendit tonë është nëse ata në fund mbështesin vendimin për fillimin e negociatave, sepse konsiderojmë me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit dhe masat që u morën nga Qeveria në bashkëpunim me opozitën për ligjet kyçe të reformave, janë një bazë e mirë që vendi ynë të hap negociatat këtë vit me një vendim pozitiv në këshillin e radhës”,- tha drejtoresha e IPE-së, Simonida Kacarska.
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, thotë se Ministria është e gatshme të nisë negociatat.
“Presim verifikimin e asaj që kemi bërë në periudhën e kaluar, por edhe atë që po bëjmë tani si hap për ta afruar vendin tonë me standardet evropiane me hapjen negociatave”,- u shpreh ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Deskoska gjithashtu tha se është e kënaqur që disa zgjidhje ligjore tashmë japin rezultate duke e nënvizuar zbatimin e sistemit AKMIS për shpërndarjen elektronike të gjyqtarëve. (Naim Ramadani, TVM2)
