Gjuha e urrejtjes, trajnim prokurorëve të identifikojnë veprën
Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve publikë, Prokuroria Publike, Misioni i OSBE/ODIHR...

Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve publikë, Prokuroria Publike, Misioni i OSBE/ODIHR, përmes një memorandumi të përbashkët, do të luftojnë krimin e motivuar nga urrejtja dhe paragjykimet.
Ky memorandum ka për qëllim mbindërtimin profesional të njohurive praktike dhe teorike të prokurorëve publikë me qëllim elaborimin,interpretimin praktik dhe implementimin e dispozitave të reja ligjore me qëllim identifikimin dhe motivin e kësaj vepre.
“Trajtimet e Prokurorëve Publikë do të jenë jashtëzakonisht të dobishme për njohjen e elementeve të veprave penale në fushën e krimit nga urrejtja, e të cilat identifikohen përmes motivit, mendimit për viktimën, komentet që e shoqërojnë, gjestikulimet, deklarimet, porositë e shkruara drejt ndonjë personi, vendi apo veprimet ndaj ndonjë objekti fetar, objekti të rëndësisë kulturore, përmendore historike etj”,- tha drejtoresha e AGJPP-së, Natasha Gaber Damjanovska.
“Me rëndësi është të kuptohet se viktimat e krimit nga urrejtja, asnjëherë incidentet nuk i paraqesin tek organet shtetërore. Prokurorët kanë rol kyç në dhënien e kësaj përgjigje përmes zbatimit të hetimit dhe përmes kërkimit të dënimeve të larta gjyqësore”,- theksoi drejtoresha e ODIHR-it, Ingibiork Solurun Gisladotir.
“OSBE e njeh krimin nga urrejtja si kërcënim të fortë ndaj individëve dhe shoqërisë. Mes vitit 2013 dhe 2019 organizatat qytetare në Maqedoninë e Veriut kanë vërejtur mbi 500 raste të krimit nga urrejtja ku pjesa më e madhe janë incidente nga dhuna ndëretnike tek të rinjtë, vepra të kryera nga besimet religjioze të viktimave, kërcënime ndaj refugjatëve, migrantëve dhe ndaj komunitetit LGTB”,- u shpreh ambasadori i Misionit të OSBE-së, Klemes Koja.
Sipas kryeprokurorit, Lubomir Jovevski, e drejta e të shprehurit në disa raste keqinterpretohet dhe kalon në gjuhë të urrejtjes dhe mund të shkaktojë prishje të rendit dhe qetësisë publike. Ai tha se nuk ka njohuri se aktualisht kundër sa rasteve të tilla vepron prokuroria.
“Ajo që është problem për prokurorët është stërzgjatja e procedurave kur bëhet fjalë për zbulimin dhe të provuarit të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, sepse duhet të dëshmohet nëse bëhet fjalë për profil të vërtetë apo të rrejshëm. Për momentin për sa lëndë veprojnë prokuroritë në vend nuk kam tregues konkret”,- deklaroi kryeprokurori, Lubomir Jovevski.
Me këtë rast, Jovevski i pyetur për urdhër-arrestin ndërkombëtar për Nikolla Gruevskin, tha se nuk ekziston asnjë pengesë që e njëjta të publikohet në listën e INTERPOL-it teksa theksoi se hetimi është në përfundim sa i përket rastit të “27 prillit” në Kuvend, ku i akuzuar është edhe kryeministri, Nikolla Gruevski. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
