BDI kundërshton emërimin e Musliut

23.05.2019 17:30

Vendimi i presidentit, Stevo Pendarovski, që në krye të Agjencisë së Zbulimit të vendos Eriolld Musliun...

Vendimi i presidentit, Stevo Pendarovski, që në krye të Agjencisë së Zbulimit të vendos Eriolld Musliun, ka hasë në kundërshtimin e BDI-së. Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani, thotë se vendimi i presidentit është në kundërshtim me parimin e BDI-së, që në krye të institucioneve sensitive të mos vendoset asnjë njeri që ka qenë pjesë e shërbimit të Ivanovit. BDI i rekomandon Pendarovskit që të rishqyrtojë vendimin.

“Vendimi i djeshëm na ka shqetësuar të gjithëve dhe ka bërë hije në një ditë kur parlamenti miraton reformat për shërbimet e inteligjencës. Informacionet tona janë se ky vendim është marrë në mungesë të informacioneve të duhura dhe jo me ndonjë qëllim të keq nga presidenti. Dhe këtu flas tani në emër të BDI-së, jo në emër të Qeverisë. BDI vlerëson se pa u ndriçuar deri në fund ngjarjet e Kumanovës asnjë njeri që ka qenë pjesë e shërbimit të Ivanovit nuk duhet të jetë në krye të institucioneve sensitive”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

PRESIDENCA: ËSHTË PROFESIONIST ME CILËSI TË LARTË

Mirëpo, presidenti, Stevo Pendarovski, ka arsyetuar vendimin e tij.

“Pas analizave krahasuese të kapaciteteve profesionale të të gjithë kandidatëve, emri i Eriolld Musliut është veçuar si zgjidhje për ushtrimin e këtij funksioni me përgjegjësi. Bëhet fjalë për një profesionist me cilësi të lartë, i cili karrierën e tij e ka ndërtuar në vend dhe ka pasur bashkëpunim të përsosur me shërbimet prej të gjitha shteteve aleate”, – thuhet në përgjigjen e Presidencës, për Agjencinë “MIA”.

Për emërimin e Erolld Musliut, drejtor i Agjencisë së Zbulimit, Presidenca ka informuar edhe shërbimet partnere nga vendet anëtare të NATO-s dhe është vlerësuar pozitivisht.

ZAEV ME APEL PËR BASHKËPUNIM DHE TRANSPARENCË

Në ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, pa dashur të ndërhyjë në kompetencat e presidentit Pendarovski, e ftoi atë që të jetë e hapur për reagime dhe kundërshtime dhe të sqarojë opinionin.

“Unë apeloj që të bisedojë me partnerët pasi po ndërtojmë politika të përbashkëta. Duhet diskutuar për të gjitha çështjet. Kështu që reagimi nuk është i rastësishëm. Në harmoni me atë reagim të shqyrtohen detajet dhe të sqarojnë para opinionit arsyet dhe nevojën edhe për emërimin edhe për reagimin. Besoj se do të gjejnë zgjidhje”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

LSDM konfirmoi se është në koalicion aktiv me BDI-në dhe se nuk gjen arsye për të sulmuar vendimet e presidentit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)