Pendarovski nënshkroi dekrete për shpalljen e 18 ligjeve

23.05.2019 17:50

Kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski, nënshkroi dekrete....

Kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski, nënshkroi dekrete për shpalljen e 18 ligjeve të cilat nuk ishin të nënshkruara nga kryetari i mëparshëm, Gjorge Ivanov.

Siç kumtuan nga kabineti i kryetarit Pendarovski, janë nënshkruar dekretet për shpalljen e Ligjit për ndalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, Ligji për ndihmë juridike falas, Ligji për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, Ligji për këshill gjyqësor të RMV-së, Ligji për plotësimin e Ligjit për shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë, Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë, si dhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për subvencionimin e kredisë banesore. “Implementimi i këtyre ligjeve sjell shumë përfitime dhe zgjidhjet ligjore janë të interesit esencial për qytetarët e RMV- së”,- thuhet në kumtesën e kabinetit të kryetarit.

Me Ligjin për ndalim dhe mbrojtje nga diskriminimi sigurohet parimi i barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi gjatë realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky ligj i mbron personat me pengesa në zhvillim dhe ngërthen në vete identitetin gjinor dhe orientimin seksual si bazë për mbrojtje nga diskriminimi. (Flutura Latifi, TVM2)