“Fshesa” në LSDM, Zaev shkarkoi kryetarët e degëve
Filloi “fshesa” në partinë e socialdemokratëve...

Filloi “fshesa” në partinë e socialdemokratëve. Kryeministri Zaev ka vendosur që fillimisht t’i shkarkojë 78 nga gjithsej 80 kryetarët e degëve komunale të LSDM-së. Organet dhe trupat e LSDM-së do të miratojnë vendim për fillimin e procedurës për zgjedhje të udhëheqësive të reja.
Zaev tha se “fshesa” do të vazhdojë edhe në organet më të larta të partisë, por ndryshimet kanë filluar nga organizatat komunale për arsye se në statutin e partisë këtë vendim ka të drejtë ta marrë vetëm kreu i partisë, ndërsa për ndryshimet tjera vendimin e marrin organet e partisë.
“Është e vetmja e drejtë që statuti e jep, gjegjësisht vendos vetëm një person, kryetari. Krejt tjerat janë vendime të organeve të partisë, menjëherë pasi të zgjidhen këto trupa partiakë do t’iu informojmë pasi kjo është çështje ditësh. Dëshiroj që t’ju falënderohem të gjithë kryetarëve të degëve për angazhimin, në veçanti atyre fituese në zgjedhjet e fundit”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
ZAEV: NDRYSHIME KADROVIKE KAH MESI I QERSHORIT
Kreu i Qeverisë, Zoran Zaev, njoftoi se për ndryshimet në ndërmarrjet publike, ministritë dhe institucionet e qeverisë, do të pritet deri kah mesi i muajit qershor.
“Deri në fund të kësaj jave disa punë do të kryhen në vetë partitë politike, kurse nga java e ardhshme besoj se do të fillojmë, pasi veç më hyjmë në muajin qershor dhe duhet të dalin në sipërfaqe vendime të caktuara të cilat besoj se do të jemi të gatshëm t’i sjellim. Gjithsesi, vijojnë vendime për ndryshime të caktuara në udhëheqësinë më të lartë, në organe tjera partiake, bukfalisht në çdo nivel”,- theksoi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Deri në fund të javës pritet që BDI dhe LSDM t’i përfundojnë konsultimet brenda radhëve të partisë, ndërkohë që takimi i ardhshëm Zaev-Ahmeti, në të cilin do të vendoset për riformatimin e qeverisë, pritet të realizohet në javën që vjen.
“Fshesa” në kabinetin qeveritar, e cila duhej të fillojë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, u iniciua nga ana e qytetarëve të pakënaqur nga rezultatet e deritanishme të arritura nga qeverisja aktuale. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
