Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit, Bogoevski dorëhiqet pas skandalit me mjetin narkotik

23.05.2019 18:14

Deputeti i shumicës parlamentare, Pavle Bogoevsk....

Deputeti i shumicës parlamentare, Pavle Bogoevski, nga foltorja e Komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit paralajmëroi dorëheqjen e cila do të fuqizohet pas votimit të heqjes së mandatit të Nikolla Gruevskit në seancë plenare.

Bogoevski, si kryetar i Komisionit tha se dorëhiqet, pasi nuk dëshiron që funksioni i tij të ndikojë në procesin e hetimit pas akuzave për furnizim me mjete narkotike.

“Vota për marrjen e mandatit Nikolla Gruevskit do të jetë vota ime e fundit në këtë kuvend. Vendimin e mora menjëherë pas skandalit nga momentet kur vetë u paraqita në polici. Fakt i ditës është se pa marrë parasysh arsyet për sigurimin e vajit të kanabisit për person të afërt, unë paskam kryer veprim të kundërligjshëm. S’dua që funksioni im të ndikojë ndaj organeve të gjyqësisë. Ftoj organet e përndjekjes plotësisht të hetojnë rastin për përgjegjësinë time, por edhe të atyre që jashtëligjshëm kanë xhiruar”,- deklaroi deputeti, Pavle Bogoevski.

Paraprakisht, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkoi që në rend dite të vihet llogaridhënia e deputetit Bogoevski. U prononcuan edhe nga selia e Mickovskit.

“Pavle Bogoevski do të duhet të mbart përgjegjësi penale për tregti  me mjete narkotike. MPB dhe Prokuroria Publike me urgjencë të realizojnë aksion që të zbulohet i gjithë zinxhiri për tregti me narkotikë, por edhe të hetohet se kush nga përfaqësuesit e pushtetit, të parlamentit, funksionarëve publikë kanë qenë pjesë e asaj tregtie kriminele, por që edhe kanë keqpërdorur narkotikë”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Kryeministri Zaev dorëheqjen e Bogoevskit e cilësoi si personale dhe paralajmëroi bashkëpunim me të në ardhmen.

“Unë përshëndes vendimin e tij. Ai është deputet i shkëlqyer dhe është simbol i “Revolucionit laraman”. Do të kem kënaqësinë që me njëri të tillë edhe të punoj në të ardhmen”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Nga partia e Zaevit tani presin reagimin e deputetëve të opozitës, se sa ata do të jenë gati që të japin votën për marrjen e mandatit të Gruevskit.

“Dorëheqja është akt personal. Ne si shumicë parlamentare bëjmë hapa seriozë dhe të rëndësishëm në këtë drejtim. Për fat të keq nuk shoh se hapa të tillë bën edhe opozita, por ka arsye të mëdha që të dëshmojë të paktën një gram moral dhe etikë para qytetarëve dhe shtetit”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Nga BDI përshëndesin vendimin e Bogoevskit.

“E përshëndes vendimin e kolegut, Pavle Bogoevski, i uroj sukses në çdo aktivitet të tij të mëvonshëm, ndërsa njëkohësisht i uroj shëndet personit, në familjen e tij, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenski, bëri një paralele midis veprës së padëshmuar të Bogoevskit me atë nën hetime të ish kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, për përfshirje në dhunën e kuvendit, i cili vazhdon të jetë deputet.

Seanca e Komisionit ku duhej të vendosej për marrjen e mandatit të Nikolla  Gruevskit për shkak të mungesës së tij gjashtëmujore nga kuvendi, u ndërpre. Punimet pritet të vazhdojnë javën e ardhshme të udhëhequr nga zëvendësja e Bogoevskit, Snezhana Kaleska. (Meral Ismaili, TVM2)