Ftesa për dialog dhe refuzimi

23.05.2019 18:31

Pa kaluar as 24 orë nga letra publike...

Pa kaluar as 24 orë nga letra publike drejtuar mbrëmë kryedemokratit, Lulzim Basha, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i dërgon një letër të dytë, ku i përsërit thirrjen për dialog urgjent e pa kushte.

Në letër, shefi i qeverisë i sugjeron kundërshtarit të tij politik që të kthejë rrugë me qëllim zgjidhjen e krizës, ndërsa thekson se data e zgjedhjeve nuk negociohet.

“Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdo qoftë. Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në tryezën e dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë”.

Përgjigjen letrave të hapura që i drejtoi Rama, Lulzim Basha zgjodhi t’ia kthejë duke iu drejtuar qytetarëve dhe jo kryeministrit.

“Pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia. Por, për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit”.

Për kreun e selisë blu, nëse kryeministri do të kishte respekt për demokracinë, ai do të kishte dhënë dorëheqjen, jo një herë, por të paktën 20 herë në gjashtë vitet e fundit.

Ndërkohë, opozita ka thirrur një protestë kombëtare mbrëmjen e kësaj të shtune, si përpjekje për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit, Edi Rama, dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ajo nuk ka lëvizur nga qëndrimi për të mos lejuar zgjedhje më 30 qershor e as kryeministri Rama nuk e sheh si opsionin shtyrjen e këtyre zgjedhjeve vendore. (Luljeta Ndoka, TVM2)