Theresa May shtyn sërish votimin për BREXIT-in

23.05.2019 18:39

Kryeministrja britanike, Theresa May.....

Kryeministrja britanike, Theresa May, u detyrua të shtyjë votimin e deputetëve për projektligjin e ri për Brexit, që ajo e kishte paraqitur si “mundësia e fundit’’ për të vënë në zbatim daljen nga BE-ja.

Teksti u bë objekt i një breshëri kritikash si nga opozita laburiste, por edhe nga euroskeptikët e Partisë së saj Konservatore, që u shoqërua edhe me dorëheqjen të mërkurën në mbrëmje të ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Andrea Leadsom.

Ky tekst, që Theresa May synonte ta kalonte për votimin javën e 3 qershorit, nuk rezulton në programin legjislativ të njoftuar sot nga qeveria deputetëve. ”Ne do të informojmë Dhomën për publikimin dhe futjen e projektligjit për Marrëveshjen e tërheqjes pas pushimit parlamentar, i parashikuar deri në 4 qershor”, deklaroi përfaqësuesi i qeverisë, Mark Spencer në prani të deputetëve.

Ky hap pas bëhet i ditur në po të njëjtën ditë të zgjedhjeve europiane në Britaninë e Madhe, që pritet të jenë të vështira për konservatorët, të paaftë për të vënë në zbatim Brexit dhe duke e bërë edhe më afërt ditën e largimit të kryeministres May.