Zhvillohet ceremonia e ndarjes së certifikatave të Standardeve Ndërkombëtare për Agrobizneset në Dibër

24.05.2019 18:05

Pesë agrobizneset e Dibrës, pjesë e projektit ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni e Veriut....

Pesë agrobizneset e Dibrës, pjesë e projektit ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni e Veriut, financuar nga Bashkimi Europian, morën certifikatat për standarde ndërkombëtare të produkteve dhe sigurisë ushqimore, që do të shërbejnë si pasaportë cilësie për hyrjen e produkteve në tregjet evropiane.

Koordinatori i projektit, Erduan Kllobucishta, nënvizoi se certifikimet u japin produkteve vëndase garancinë ndërkombëtare të cilësisë.

“Ky projekt, shumë i rëndësishëm për zhvillimin rajonal, ka në fokus promovimin dhe rritjen ekonomike të zonës së Peshkopisë dhe të Dibrës së Madhe, përmes çertifikimeve të agrobizneseve të suksesshme, duke i hapur rrugë zgjerimit të tregut dhe progresit të ekonomisë së vendit dhe rajonit në tërësi. Projekti mbështet fermerët dhe sipërmarrësit me përgatitjen e planeve të biznesit për të përfituar nga skemat e granteve kombëtare dhe ato të IPARD-it, duke lehtësuar financimin për zhvillimin e investimeve të tyre. Gjithashtu, ky projekt asiston agrobizneset e certifikuara me shërbime marketing për të rritur vizibilitetin dhe shitjet e tyre”,- deklaroi koordinatori i projektit, Erduan Kllobucishta.

Përfaqësuesit e agrobizneseve të çertifikuara shprehën mirënjohjen për mbështetjen e marrë nga ky projekt, duke theksuar se falë çertifikimeve ndërkombëtare, produktet e tyre kanë tashmë potencialin të konkurojnë sukseshëm jo vetëm në tregun vendas, por edhe drejt tregut rajonal dhe evropian. (Atli  Dema, TVM2)