Dorëhiqet kryeministrja britanike, May do të lë detyrën më 7 qershor

24.05.2019 19:04

Kryeministrja britanike, Theresa May....

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka paralajmëruar dorëheqjen e saj më 7 qershor, duke hapur rrugën për një kryeministër të ri të Britanisë së Madhe. Në një deklaratë emocionale, May tha se kishte bërë më të mirën për të respektuar rezultatin e referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja, por nuk ia doli të përfundonte procesin e Brexit-it.

“Kam bërë gjithçka për të bindur deputetët për të përmbushur atë marrëveshje. Për fat të keq nuk munda ta bëj atë. Jam munduar tri herë. Besoj se ishte në rregull për të vazhduar, por e  kam të qartë tash se është në interes të qytetarëve kjo punë t’i lihet kryeministrit të ri. Jam këtu t’ju informoj se si lidere e konservatorëve më 7 qershor jap dorëheqje”,- tha kryeministrja e Britanisë, Theresa May.

May ka qenë nën presion për të dhënë dorëheqje pasi disa deputetë të partisë së saj dolën kundër planit të ri të Brexit-it, të cilin May tha se do ta dërgojë për votim në parlament.

Që nga janari i këtij viti, parlamenti britanik ka hedhur poshtë tri herë marrëveshjen e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars, por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.

Megjithatë, ajo arriti të marrë pajtimin e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje. (Nermine Mulaki Fejzullahu, TVM2)