Botë

Ekzekutimi nga ISIS, nxit reagim ndërkombëtar

03.09.2014 14:16

Videoja e re, në të cilën shfaqet ekzekutimi i dyshuar i pengut amerikan, Steven Sotloff, ka nxitur irritim ndërkombëtar...

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, tha se veprimi përbën një “krim të neveritshëm”. Kombet e Bashkuara  kanë bërë të ditur se nëse konfirmohet vrasja, do të jetë një “brutalitet i sëmurë”. 
 
Pas lajmit të publikimit të videos së dytë, presidenti amerikan, Barack Obama, urdhëroi dërgimin e 350 trupave të tjerë në Bagdad, për të mbrojtur ambientet diplomatike amerikane.
 
Sotloff, gazetar 31 vjeçar, u rrëmbye në Siri në vitin 2013. Ai u shfaq në një tjetër video muajin e kaluar, ku ekstremistët e shtetit islamik treguan ekzekutimin me prerje koke të gazetarit amerikan, James Foleyt. Familja e tij njoftoi se kanë hapur dyert e mortit, por me një organizim privat. 
 
Një tjetër militant në videon e fundit kërcënoi gjithashtu se do të vrasin pengun e radhës, këtë herë britanik, duke e shfaqur edhe me pamje. Familja e pengut britanik ka kërkuar nga media që të mos bëhet publik emri i tij.
 
Shteti islamik ka pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Irak e Siri, duke deklaruar krijimin e një kalifati të ri të drejtuar nga lideri Abu Bakr al-Bagdadi. 
 
SHBA-të kanë nisur një fushatë sulmesh ajrore, mbi 120 të tilla, gjatë muajit të kaluar, për të ndihmuar forcat kurde të ndalin avancimin e IS-it. E pritshme dhe tmerruese videoja e fundit, për ekspertët ka një domethënie të veçantë.
 
Ajo tregon se sulmet ajrore amerikane, që kanë frenuar disi përparimin e luftëtarëve të ISIS-it në Veri të Irakut, i kanë shkaktuar dëme reale Organizatës së Dhunshme, duke cenuar planet e saj për ta shtrirë me forcë sundimin e vet edhe në rajonin e Kurdistanit.
 
Të paaftë t’u përgjigjen avionëve të Amerikës, ISIS përgjigjet me një lloj informacioni frikues lufte, për të cilin e di mirë që do të tmerrojë njerëzit në Perëndim.
 
Së dyti edhe kërcënimi ndaj një pengu britanik po përkthehet si tregues i faktit që shteti islamik nuk bën dallim mes SHBA-ve dhe Britanisë në trajtimin e tyre si armiq edhe pse britanikët nuk kanë marrë pjesë në fushatën ajrore mbështetëse të Milicisë kurde.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU