Maqedoni
Besimi pret vlerësimin e progresit në raportin e vjeshtës së KE-së
03.09.2014 14:18
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, u takua sot me Torsten Fraj, anëtar i Bundestagut gjerman nga radhët e partisë në pushtet CDU dhe me Anja Çimek...

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, u takua sot me Torsten Fraj, anëtar i Bundestagut gjerman nga radhët e partisë në pushtet CDU dhe me Anja Çimek, përfaqësuese zyrtare e Fondacionit “Konrad Adenauer”.
Zëvendëskryeministri Besimi, në fillim të takimit iu falënderua përfaqësuesve të Gjermanisë për mbështetjen që në vazhdimësi i jep Republikës së Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u dëshmua edhe në Konferencën e Berlinit, si dhe përmes vizitave të rregullta dhe interesimit të nivelit të lartë.
"Posaçërisht e çmojmë përkrahjen e kancelares Merkel, e cila në Konferencën e Berlinit të mbajtur javën e kaluar, tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë mundësi t'i bashkëngjiten Bashkimit Evropian, nëse i plotësojnë kërkesat për aderim"- theksoi Besimi.
Në takim, zëvendëskryeministri Besimi nënvizoi se integrimi euroatlantik mbetet prioriteti kryesor strategjik i vendit, ndërsa Qeveria edhe më tej vazhdon me përpjekjet për zbatimin e reformave të nevojshme në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike përmes parimit të respektit dhe tolerancës së ndërsjellë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik dhe të punësimeve.
Mes të tjerash, në takim u bisedua edhe për planin e veprimit dhe për prioritetet të cilat janë thelbësore në procesin e aderimit të drejtë të BE-së, të miratuara me dialogun aderues të nivelit të lartë, siç janë liria e të shprehurit, sundimi i Ligjit, gjyqësia, korrupsioni dhe dialogu ndëretnik, reformat zgjedhore, reformat në Administratën Publike dhe kriteret ekonomike.
Njëherësh, Besimi shtoi se presim që progresi i Maqedonisë të jetë i shënuar dhe i vlerësuar në raportin e vjeshtës të Komisionit Evropian.
