Botë

Armëpushim i përhershëm mes Kievit e Moskës?

03.09.2014 15:12

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, arriti marrëveshje me homologun e tij rus, Vladimir Putin, mbi një “armëpushim të përhershëm” në rajonin lindor të Ukrainës...

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, arriti marrëveshje me homologun e tij rus, Vladimir Putin, mbi një “armëpushim të përhershëm” në rajonin lindor të Ukrainës, Donbass, ku përfshihen Donjecku dhe Sloviansku.  Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate zyrtare nga Zyra e Shtypit të presidentit ukrainas.
 
“Mirëkuptimi i ndërsjellë është arritur sa i përket hapave që do të mundësojnë rivendosjen e paqes”- lexohej në deklaratën e publikuar, që thekson se gjithçka është arritur pas një bisede telefonike mes Poroshenkos dhe Putinit.
 
“Biseda e tyre përfundoi me një marrëveshje mbi një armëpushim të përhershëm në rajonin Donbass (Donjeck dhe Luhansk)”- deklaron zyra e tij.
 
“Tashmë priten hapat e mëtejshëm që do të çojnë drejt paqes”.
 
Njoftimi vjen në kohën kur presidenti amerikan, Barack Obama, po takohet me liderët e vendeve baltike në Estoni, përpara një Samiti të përgjithshëm të NATO-s.
 
Ai pritet të flasë sonte  në Talin me presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, këto ish-republika sovjetike, të cilat janë bashkuar me NATO-n një dekadë më parë. 
 
Separatistët pro-rusë janë duke luftuar ndaj forcave të Kievit në rajonin kryesisht rusisht-folës të Donbassit, në të cilin është ngritur thuajse pjesa më e madhe e industrisë së rëndë të Ukrainës, e që përbën rreth 18% të produktit të përgjithshëm bruto të vendit. 
 
Samiti i NATO-s në Uells, pritet të mbështesë planin për një forcë të kundërpërgjigjes së shpejtë. 
 
Më shumë se 2600 civilë dhe luftëtarë kanë vdekur dhe më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, që kur luftimet nisën në Lindje të Ukrainës, në muajin prill, kur separatistët pro-rusë deklaruan në këto rajone pavarësinë nga Kievi.