Maqedoni

Fillon “fshesa” në LSDM, Carovska: Besoj në vendimet e kryeministrit; VMRO: Zaev le të nis nga vetja; Sela: “Fshesa”, mashtrim për nevoja zgjedhore

26.05.2019 16:13

Kryeministri Zoran Zaev, filloi me procesin e pastrimit në rradhët e partisë së tij...

Këshilli Qëndror i LSDM ka thirr takim pasi Zaev mori vendim të shkarkojë, të gjithë, 78 kryetarët e degëve komunale të partisë, të cilët do të kenë të drejtë për rikandidim.
 
Pas ndryshimve brendapartiake do të fillojë pastrimi në institucione, me ndryshime në ndërmarrjet publike, në ministri dhe institucione të tjera.
 
Për prurje të reja në krye të institucioneve, Zaev diskutoi edhe me partnerin e koalicionit qeverisës, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Nisma ka për qëllim që të përforcojë kapacitet kadrovike të institucioneve për të shënuar rezultate më mira dhe plotësimin e pritjeve të qytetarëve. 
 
“Unë besoj në ndryshime dhe ndryshimet gjithmonë sjellin gjëra të mira. Njëkohësisht besoj edhe në vendimet e kryeministrit dhe jam e sigurtë se do t’i bëj në bazë të të arriturave tona si ministra dhe në bazë të vlerësimit të qytetarëve”, shprehet ministrja e punës dhe politikës sociale Mila Carovska.
 
VMRO DPMNE në opozitë konsideron se fshesa duhet të fillojë me vetë Zaevin dhe se ndryshimet brendapartiake kanë të bëjnë me rezultatin e dobët në zgjedhjet presidenciale.
 
“Në vend të funksionarëve shtetëror ndërron njerëzit e tij të dëgjueshëm nëpër zyrat komunale pas pasuksesit zgjedhor, në përpjekje për të ulur pakënaqësinë dhe dëshpërimin nga ai në LSDM”, theksoi zëdhësësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski
 
Ndërkaq, kreu i ASH-së, Ziadin Sela, në një intervistë për radion Evropa e Lirë nuk pret asnjë ndryshim nga “fshesa” e paralëjmëruar. Sipas tij, paralajmërimi për ndyshime në qeveri kishte qëllime elektorale.
 
“Të gjithë e dinin se asgjë nuk do të ndodh nga ajo fshesë siç jemi dëshmitarë se asgjë nuk ka nga ajo fshesë që po përmendet. Ai është i vetëdishëm se BDI e humb përkrahjen te elktorati shqiptar dhe mënyra e vetme që të fitojë votat e shqiptarëve në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte që t’u jep shpresë shqiptarëve se BDI nuk do të jetë më në pushtet”, u shpreh kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.
 
I pakënaqur nga rezultati zgjedhor në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale Zaev paralajmëroi “fshësën”.  BDI e qujati të papërshtatshëm termin “fshesa”, ajo paralajmëroi veting për funsionarët e saj.  
 
SHPËTIM NUREDINI