Botë
Zgjedhjet në Parlamentin Europian, e djathta ekstreme dhe nacionalistët shënuan rritje
27.05.2019 11:02
Forcat liberale dhe e djathta ekstreme do të kenë më shumë vende në Parlamentin Europian....

Ato pësuan rritje në zgjedhjet europiane, ndërsa partitë tradicionale kanë humbur shumicën në PE. Partitë pro forcimit të Bashkimit Evropian, arritën megjithatë të mbajnë dy të tretat e vendeve në Parlamentin Evropian, por e djathta ekstreme dhe nacionalistët shënuan rritje në zgjedhjet që përfunduan të dielën.
Megjithatë, Partia Popullore Europiane mbetet forcë e parë fituese këto zgjedhje me 179 vende në Parlamentin Europian që ka gjithsej 751 vende. I dyti renditet grupimi i Partisë Socialiste me 150 vende, që pasohet nga liberalët me 107 vende dhe nga të gjelbrit me 70 vende. Gjykuar nga rezultatet, liberalët do të kenë rol thelbësor në ngritjen e institucioneve të BE. Grupimi i Partive konservatore ka siguruar 58 vende, ndërsa e nacionalistët e ekstremit të djathtë dhe pupulistët së bashku kanë 108 vende në Parlamentin Evropian. Surpriza negative e këtyre zgjedhjeve mbetet rritja e ekstremit të djathtë në disa vende të Bashkimit Europian.
Në Francë, ekstremi i djathtë i Marine Le Pen që kryeson partinë Fronti Kombëtar është fituese e këtyre zgjedhjeve duke lënë pas grupimin e presidentit francez Emanuel Macron. Madje, Le Pen ka kërkuar shpërbërjen e parlamentit pas shpalljes së rezultateve.
Në Itali po ashtu, Lega Nord e Mateo Salvinit është renditur e para në zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Në Belgjikë, ekstremi i djathtë është forca e dytê fituese e këtyre zgjedhjeve dhe si parti populiste dhe ekstremiste kanë fituar në disa vende të Unionit dhe do të mund të futen në Parlamentin Europian.
Zyrtarët evropianë janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen në zgjedhje që arriti në 51 për qind, më e lartë se 43 për qind që ishte në zgjedhjet e 2014. Kjo pjesëmarrje në zgjedhjet europiane regjistrohet si më e larta e dy dekadave të fundit.
