Maqedoni
“Fshesa”, shkarkohen të gjithë nënkryetarët e LSDM-së
27.05.2019 11:51
Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, mbrëmë kumtoi shkarkimin e 6 nën-kryetarëve të partisë....

Oliver Spasovski, Frosina Remenski, Damjan Mançevski, Muhamed Zeqiri, Petre Shilegov Bllagoja Boçvarski, nuk do të jenë më nën-kryetarë të partisë. Zaev për sekretar të përgjithshëm të partisë në vend të Aleksandër Kiracovskit emëroi Ljupço Nikollovskin. Për sa i përket rikonstruimit të qeverisë, kryeministri theksoi se këtë do ta vendosin në një mbledhje të veçantë gjatë ditëve në vijim. Këto ndryshime vijnë pas “shuplakës” që morën partnerët e koalicionit në zgjedhjet presidenciale, ku një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk doli fare në votime.
“Do të ketë ndryshime në postet ministrore në më shumë se tre ministri, ndërrime drejtorësh, por ndërrime edhe në pushtetin lokal dhe institucione tjera. Gjithkund ku ka pasur arrogancë dhe mungesë të rezultateve do të ketë ndryshime, emrat e rinj të ministrave do të publikohen menjëherë pasi të vendoset për to. Bisedime do të ketë edhe me partnerët e koalicionit, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, të Alternativës, Afrim Gashi, kuptohet edhe me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
