Botë
Oslo, përpjekje të reja për krizën në Venezuelë
27.05.2019 12:23
Përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës së Venezuelës, do të takohen sërish në Oslo të Norvegjisë...

Përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës së Venezuelës, do të takohen sërish në Oslo të Norvegjisë, në përpjekje për të adresuar krizën politike që ka përfshirë vendin. Takimi në Oslo është konfirmuar nga qeveria norvegjeze, e cila përsëriti angazhimin e saj për t’i ndihmuar palët në arritjen e një kompromisi.
Bisedime janë mbajtur edhe më herët gjatë këtij muaji, por opozita tha se nuk ka pasur ndonjë takim kokë më kokë me përfaqësuesit e qeverisë. Venezuela është në krizë të thellë politike që prej disa muajsh.
Lideri opozitar, Juan Guaido, u vetëshpall në janar president i përkohshëm, me argumentin se rizgjedhja e presidentit Nicolas Madruo, vitin e kaluar, ishte “e paligjshme”. Pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të opozitës, Maduro ka refuzuar që të largohet.
Lidhur me takimin në Oslo, lideri opozitar Guaido ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedime. Një gjë të tillë e ka bërë edhe presidenti Maduro, i cili ka kumtuar se është i gatshëm të punojë për një agjendë gjithë-përfshirëse, që do të çojë drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje.
