FEB: Maqedonia përmirëson konkurrencën
Raporti më i ri i Forumit Ekonomik Botëror, ka radhitur Maqedoninë në vendin e 63-të të listës së konkurrencës, duke u ngjitur kështu për 10 vende në krahasim me vitin e kaluar, kur u klasifikua në pozicionin e 73-të...

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski, thotë se ky raport është një tregues i mirë në raport me vendet e tjera të rajonit.
“Kjo paraqet përmirësim të dytë të rëndësishëm, të njëpasnjëshëm, në rangimin e konkurrencës për ekonominë e Maqedonisë, e cila vitin e kaluar u përmirësua për shtatë pozita, që do të thotë se për dy vite Maqedonia përmirësoi rangimin për 17 pozita. Kjo paraqet rezultat të dytë më të mirë në Evropë, midis të gjitha shteteve Evropiane në dy vitet e fundit”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski.
Nga vendet e rajonit, Mali i Zi është në vendin e 67-të, Sllovenia në vendin e 70-të, Kroacia në të 77-tin, Greqia në të 94-tin dhe Shqipëria në vendin e 97-të.
Sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2014-2015, indeksi i konkurrencës së Maqedonisë arrin 4,26 në shkallën nga 1 deri në 7.
Sipas raportit, më konkurruese nga 144 vende të klasifikuara në botë është Zvicra, pas saj vijnë Singapori, SHBA-ja, Gjermania, Finlanda, Japonia, Hong-Kongu, Holanda, Britania e Madhe dhe Suedia. (Naim Ramadani, TVM2)
