Rumani, 3,5 vite burg për kreun e Dhomës së Deputetëve
Gjykata e Lartë rumune i ka shqiptuar dënim prej tre vite e gjysmë burg kreut të Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea...

Gjykata e Lartë rumune i ka shqiptuar dënim prej tre vite e gjysmë burg kreut të Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea, njëherit edhe kryetar i Dhomës së Deputetëve për punësim të paligjshëm në Teleorman, kur ai kryesonte këshillin e qarkut në vitin 2013.
Vendimi është përfundimtar dhe u mbështet nga katër prej pesë gjyqtarëve në panel. Gjyqtarët gjithashtu lanë në fuqi dënimin e tij të shkallës së parë.
Vendimi gjyqësorë vjen pasi partia e tij doli e dyta në zgjedhjet e Parlamentit Europian të së dielës, duke shkaktuar protesta dhe konflikte brenda partisë.
Në vitin 2013, Dragnea u akuzua për ndërhyrje të paligjshme për mbajtjen dhe pagesën e pagave të dy punonjësve të Drejtorive të Përgjithshme të Ndihmës Sociale dhe Mbrojtjes së Fëmijëve në Teleorman, edhe pse ai e dinte se ata punonin për organizatën Teleorman të PSD-së.
Pas dënimit, Gjykata e Lartë do të lëshojë një mandat për ekzekutimin e dënimit, i cili do të dërgohet në polici.
Dragnea pritet të dorëzohet vetë në drejtësi, ose të përballet me arrestimin në shtëpinë e tij ku ai priti dënimin. I pyetur të dielën nëse kishte frikë nga vendimi i gjykatës, udhëheqësi i PSD-së u përgjigj, se kjo nuk ka të bëjë me frikën dhe se ai është I pafajshëm.
Ky është vendimi i dytë përfundimtar për Dragnean. Ai mori një dënim të pezulluar në prill 2016 për abuzim pushteti në një referendum të mbajtur në vitin 2012 për shkarkimin e presidentit të atëhershëm Traian Basescu.
