Maqedoni

“Freskimi i radhëve të LSDM-së”, Arsovski: Priten ndryshime edhe në ekzekutiv

27.05.2019 15:04

Shkarkimi i nënkryetarëve të LSDM-së dhe ndryshimet tjera partiake janë vetëm paralajmërim i “freskimit”....

Shkarkimi i nënkryetarëve të LSDM-së dhe ndryshimet tjera partiake janë vetëm paralajmërim i “freskimit” që pritet të ndodhë në ekzekutiv, vlerëson analisti politik, Petar Arsovski. Sipas tij, kuadrot e reja qoftë në parti apo qeveri, pritet të ndryshojnë mënyrën e udhëheqjes së shtetit dhe realizimin e suksesshëm të politikave qeveritare. Por, ky “operacion” nuk do të jetë aq i lehtë për kryeministrin Zaev, thotë Arsovski.
 
“Mendoj se shkarkimi i nënkryetarëve është një hap i mirë dhe i duhur edhe pse personalisht mendoj se ende nuk është mbaruar puna e ndryshimeve. Ndryshimet partiake në thelb janë pjesa më e lehtë e punës, sepse Zaev si kryetar i partisë është më sovran dhe më lehtë mund t’i bëjë këto ndryshime. Ndërsa ndryshimet që do të pësojnë në qeveri do të jenë më të komplikuara, sepse atje bëhet fjalë për ministra dhe ka agjenda të ndryshme të koalicionit dhe manovra që duhet bërë. Por, kryeministri po dëshmon se është serioz rreth ndryshimeve, sepse ndryshime të mëdha deri më tani nuk kemi pasur”,- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
 
Arsovski pranon se është vështirë të analizohet se kush prej funksionarëve duhet të shkojë në shtëpi e kush të vazhdojë punën në ekzekutiv, por vlerëson se duhet analizuar puna dhe rezultatet e deritanishme të funksionarëve nga fusha e gjyqësisë, ekonomisë dhe administratës. Arsovski nuk përjashton që të shkarkohen nga funksionet që kanë edhe një pjesë e nënkryetarëve të shkarkuar.
 
“Pa dyshim mund të konkludoj se Zaev është i vendosur për ndryshime të gjëra, më së shumti për shkak të mesazhit në opinion se ai është serioz për çështjen e “pastrimit” në oborrin e  tij. Për këtë arsye mendoj se edhe deklarata e tij duhet interpretuar në drejtim se me ndryshimet e nënkryetarëve paralajmëroi se mund të ndodhin edhe ndryshime në qeveri”,- tha analisti politik, Petar Arsovski.
 
Sipas Arsovskit, në periudhën e ardhshme gjithnjë e më shumë do të jetë presioni i opinionit për të bërë ndryshime partiake më thelbësore edhe në BDI dhe partitë tjera të shumicës, por edhe të partitë opozitare. 
 
REXHEP QAMILI