Maqedoni

Qeveria dhe Ambasada e Zvicrës, projekt për zhvillim të barabartë rajonal

27.05.2019 15:36

Rajoni i Shkupit dallon shumë në krahasim me rajonet tjera të Maqedonisë së Veriut....

Rajoni i Shkupit dallon shumë në krahasim me rajonet tjera të Maqedonisë së Veriut sa i përket plotësimit të kushteve për jetesë. Andaj, përmes projektit “Zhvillim i barabartë inkluziv dhe i qëndrueshëm rajonal”, të mbështetur nga ana e Ambasadës së Zvicrës, tentohet rritje e zhvillimit të barabartë rajonal. Përmes këtij projekti rajonet planore do të fitojnë grande në bazë të dy komponentëve, asaj të infrastrukturës dhe projekteve inovative. 
 
“Ky projekt u jep mundësi të gjithë aktorëve, pa marrë parasysh se a janë ata qytetarë, komuniteti i biznesin apo qarqet akademike, të gjithë të marrin pjesë në këtë projekt. Mendoj se kjo është e rëndësishme që të decentralizohet marrja e vendimeve dhe t’i jepet mundësi të gjithëve që të marrin pjesë në këtë proces”,- tha zëvendësambasadori i Zvicrës në RMV, Stefan Tomaçan.
 
“Për zhvillim të barabartë rajonal po financohen rreth 1 milion e 740 mijë franga zvicerane nga ana e buxhetit apo shtetit dhe 3 milion e 680 mijë franga zvicerane nga ana e ambasadës zvicerane”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
I pyetur se a mundet që komunat t’i harxhojnë paratë në mënyrë jotransparente, ministri Fazliu mohon një gjë të tillë. 
 
“Ky projekt implementohet në mënyrë inkluzive, në secilin moment ndiqet nga Ambasada e Zvicrës dhe nga ana e kabinetit të zëvendëskryeministrit Angjushev, ashtu që nuk ka hapësirë as për keqpërdorime e as për shpenzime jotransparente të mjeteve”,- theksoi ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu.
 
Në bazë të projekteve infrastrukturore, rajonet planore do të fitojnë grande në bazë të principit rajoni më pak i zhvilluar do të fitojë më shumë para, kurse për më të zhvilluarin më pak. Në bazë të projekteve inovative secilit rajon planor do t’i ndahen nga 39 mijë franga zvicerane.  
 
ERSAN PAJAZITI