DËMET NGA SHIU

“Simeon”, banorët llogarisin dëmet

03.09.2014 16:31

Shiu i rrëmbyeshëm me erë të fuqishme dhe bubullima, që kaploi mbrëmë vendin, shkaktoi dëme të mëdha edhe në shumë lagje të Shkupit......

Uji është futur në bodrumet e shumë familjeve në lagjet Serovë, Dizhon dhe Gazi Babë. Kovat, thasët me rërë dhe leckat kanë qenë mjet i vetëm për të parandaluar sadopak ujin, i cili me hov është futur në shtëpitë e tyre. Për shkak të problemeve me kanalizimin edhe ujërat e zeza janë kthyer, ankohen banorët.

“Pasoja nuk kam pasur unë, por fqinjët po. Kanalizimi ka kohë që është ndërtuar këtu edhe rruga është e pashtruar edhe kur po bie shi, rëra po futet nëpër kanale dhe po i zë edhe gypat, janë të vjetër, duhet të ndërrohen, të vendohen më të mëdhenj”- deklaroi një banor.

“Dje, nipin e kisha në shkollë, tre orë mezi kemi arrit deri në shtëpi, këtu në qendër nuk u lëvizte askund, kanalizimi në Shkup në përgjithësi është katastrofë, nuk ka të sigurt asgjë”- theksoi një banor.

“Kanalizimi është i mirë, por rrugët nuk janë të asfaltuara, këtu duhet të jetë e asfaltuara dhe rëra po futet në kanalizim dhe pastaj po zihen ata”- tha një banor.

Banorët janë në ankth, ata i frikon fakti se në qoftë se moti i keq me shi të rrëmbyeshëm zgjat, nuk do të jenë në gjendje t’i ruajnë gjërat që mezi kanë arritur t’i sigurojnë me vite.

Nga Enti Hidrometeorologjik, bëjnë me dije se moti i ndryshueshëm do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, por me bubullimë dhe intensitet më të ulët.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, thonë se në vazhdimësi e  ndjekin situatën me reshjet në tërë territorin e vendit. Edhe pse gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur thirrje për ndihmë në këtë qendër, pasi shiu ka zgjatur fare pak dhe nuk ka shkaktuar dëme më të mëdha.

Stabilizim i kohës dhe rritje e temperaturave pritet prej ditës së shtunë. (Hamide Ibraimi-Emini, TVM2)