Botë
Zgjedhjet për Parlamentin Europian, fitojnë e djathta ekstreme dhe nacionalistët. Kokalari, eurodeputetja e parë shqiptare
27.05.2019 15:54
Forcat liberale dhe e djathta ekstreme do të kenë më shumë vende në Parlamentin Europian...

Ato pësuan rritje në zgjedhjet europiane, ndërsa partitë tradicionale kanë humbur shumicën në Parlamentin Evropian.
Por, partitë pro forcimit të Bashkimit Evropian megjithatë arritën të mbajnë dy të tretat e vendeve në Parlamentin Evropian.
Në parlamentin prej 751 vendesh, Partia Popullore Europiane mbetet forcë e parë fituese me 178 vende në Parlamentin Europian, apo 38 më pak se deri tani. I dyti renditet grupimi i Partisë Socialiste me 153 vende, por 34 më pak nga sa kishte deri tani.
Pasojnë liberalët me 107 vende dhe të gjelbrit me 70 vende. Grupimi i partive konservatore ka siguruar 58 vende, ndërsa nacionalistët e ekstremit të djathtë dhe pupulistët së bashku kanë 108 vende në Parlamentin Evropian.
“Porosia kryesore është të marrin fund kohërat e krizës, mendimet e krizës në Evropë, dhe të fillojmë perspektivë optimiste, që t’u dëshmojmë qytetarëve se së bashku mund të arrijmë shumë. Duhet të formojmë Europë të popullit, dëshiroj të themeloj komision të popullit. Partia Popullore Europiane u përpoq dhe tani ka mandat ta bëjë atë”,- tha kryetari i Partisë Popullore Europiane, Manfred Veber.
Këto zgjedhje rezultuan edhe me zgjedhjen e shqiptares së parë në Parlamentin Europian. Bëhet fjalë për Arba Kokalarin, e cila jeton në Stokholm të Suedisë.
Politikania e re është pjesë e partisë së moderuar, e cila fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë kështu 4 eurodeputetë, mes të cilëve edhe Kokalari, e cila ka lindur në Tiranë.
Surpriza negative e këtyre zgjedhjeve mbetet rritja e ekstremit të djathtë në disa vende të Bashkimit Europian.
Në Francë, ekstremi i djathtë i Marine Le Pen që kryeson partinë Fronti Kombëtar është fituese e këtyre zgjedhjeve, duke lënë pas grupimin e presidentit francez, Emanuel Macron. Madje, Le Pen ka kërkuar shpërbërjen e parlamentit pas shpalljes së rezultateve.
Në Itali, po ashtu, Lega Nord e Mateo Salvinit është renditur e para në zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Në Belgjikë, ekstremi i djathtë është forca e dytë fituese e këtyre zgjedhjeve dhe si parti populiste dhe ekstremiste kanë fituar në disa vende të Unionit dhe do të mund të futen në Parlamentin Europian.
Zyrtarët evropianë janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen në zgjedhje që arriti në 51 për qind, më e lartë se 43 për qind që ishte në zgjedhjet e vitit 2014.
GYLTENE SINANI
