Botë
Zgjedhjet për Parlamentin Europian, në Greqi SYRIZA e Ciprasit mposhtet nga Demokracia e Re e Micotakisit
27.05.2019 16:16
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Greqi nxorën fituese partinë konservatore, Demokracia e Re...

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Greqi nxorën fituese partinë konservatore, Demokracia e Re, e cila fitoi me një diferencë prej 10% të së majtën SYRYZA të kryeministrit Cipras.
Pas këtij rezultati të zgjedhjeve evropiane dhe lokale, kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se do të kërkojë shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nga presidenti grek.
Cipras ka thënë në pres konferencë se edhe pas këtij rezultati do të vazhdojë të punojë për popullin grek.
“Rezultati i zgjedhjeve europiane i jep të drejtën opozitës që të vejë në diskutim rrugën tonë dhe mbështetjen për shumicën dhe po e bën. Mirëpo verdikti i përket popullit. Nuk do të largohem nga beteja për barazinë, për solidaritetin, për mbrojtjen e mundit të popullit grek. Menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, do të kërkoj nga presidenti i Republikës shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve kombëtare, me qëllim që të jetë populli grek ai që do të vendosë. I drejtohem përsëri me sinqeritet dhe i kërkoj mandatin”,- deklaroi kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
Derisa Cipras planifikon të thërrasë zgjedhje, lideri i Demokracisë së Re, Kirijakis Micotakis, ka kërkuar dorëheqjen e tij.
“Greqia ka nevojë për qeveri të re me besim të freskuar nga populli grek që do ta garantonte stabilitetin, por edhe perspektivën e saj në këto rrethana kritike. Kryeministri patjetër duhet ta marrë përgjegjësinë dhe për të mirën e vendit të japë dorëheqje. Ndërsa duhet të shkojë në zgjedhje nacionale sa më parë”,- theksoi kryetari i Demokracisë së Re, Kirijakis Micotakis.
Humbjen e SYRYZA-s në zgjedhjet evropiane e ka komentuar edhe Panos Kamenos nga Grekët e Pavarur. Ai në profilin e tij zyrtar në twitter, duke iu referuar shkakut të humbjes së SYRYZA-s, ka shkruar "Cipras është vetëvrarë në Prespë".
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
