Ekonomi
OEM: Në qershor, trajnime për energjinë e ripërtërishme
27.05.2019 16:34
Prej 17 qershorit në Odën Ekonomike të Maqedonisë do të fillojnë trajnimet për burimet e ripërtërishme të energjisë, projekt ky i financuar nga BE-ja...

Prej 17 qershorit në Odën Ekonomike të Maqedonisë do të fillojnë trajnimet për burimet e ripërtërishme të energjisë, projekt ky i financuar nga BE-ja, ndërsa i realizuar nga vetë Oda.
Në kuadër të këtij projekti nëpërmjet qasjes inovative dhe ushtrimeve në terren do të trajnohen rreth 20 inxhinierë dhe 40 teknikë për projektimin dhe realizimin e sistemeve fotovoltaike dhe të kolektorëve termalë diellorë.
“Qëllimi i trajnimeve është ndërtimi i standardeve profesionale të cilat pastaj do të akreditohen dhe zbatohen në teknologjitë vendore për burime të ripërtërishme energjetike, me çmim dhe cilësi të pranueshme. Të ndërtojmë standarde të vërteta se çfarë duhet të dijë një inxhinier dhe një teknik. Nuk duhet vetëm t’i rishkruajmë ligjet dhe rregullat të cilat vlejnë në shtetet të cilat janë më të zhvilluar se ne, por e kundërta, të shohim se si ato rregulla realisht mund të projektohen në Maqedoni”,- deklaroi kryetarja në Institutin Inxhinierik të Maqedonisë, Hristina Spasevska.
Kryetari i Shoqatës së Energjetikës, Risto Janevski, informoi se në përgatitje e sipër është rregullorja e cila parasheh objektet e ripërtërishme të energjisë t’i dizajnojnë dhe t’i realizojnë punëtorë të certifikuar.
“Nuk bëhen trajnimet vetëm që të kemi ndonjë benefit, por në një farë mënyre ato trajnime do të jenë edhe obliguese. Me Ligjin për energjetikë punimet për burimet e ripërtërishme do të duhet t’i kryejnë instalues të certifikuar. Në momentin kur të gjitha punimet të zhvillohen do të duhet të ketë dizajnerë dhe punëtorë të certifikuar”,- tha kryetari i Shoqatës së Energjetikës, Risto Janevski.
Nga OEM njoftojnë se përmes projektit për efikasitet energjetik në dy fazat e para janë trajnuar 1500 punëtorë, ndërsa në pjesën e tretë priten të përfshihen 300 punëtorë të ndërtimtarisë, 300 teknikë dhe rreth 100 inxhinierë.
GAZMEND KURTISHI
