Maqedoni
Kumanovë, fillon rikonstruimi i rrugës Kumanovë-Opajë
27.05.2019 16:57
Kanë filluar punimet rreth rikonstruimit dhe rehabilitimit në rrugën rajonale Kumanovë-Opajë...

Rruga në gjatësi deri 6 kilometra dhe gjerësi 5.5 metra, kap vlerën prej 670.000 euro.
Një pjesë e kabinetit qeveritar të kryesuar nga ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugareski, inspektuan punimet rreth rikonstruimit, me ç’rast ministri theksoi se kohëve të fundit në rajonin e Kumanovës intensivisht po punohet në përmirësimin e rrugëve lokale dhe rajonale.
“Dua të theksoj se rajoni i Kumanovës është i një rëndësie të madhe, pasi që lidh dy korridoret evropiane, korridorin 8 dhe 10. Sot kemi ardhur që për së afërmi të inspektojmë punimet rreth rikonstruimit të rrugës rajonale Kumanovë-Opajë. Në këtë rajon për momentin në infrastrukturën rrugore po investohen diku rreth 60 milion euro, përfshirë këtu rrugët lokale, rajonale, si dhe hekurudhat, pra bëhet fjalë për investime serioze nga ana e qeverisë së RMV-së”,- theksoi mes tjerash ministri për transport dhe lidhje, Goran Sugareski.
“Këtë vit, Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore në rajonin e Kumanovës ka realizuar, është duke realizuar dhe do të realizojë punimet rreth rehabilitimit dhe rekonstruimit të 112 km rrugë”,- shtoi mes tjerash Zoran Kitanov nga Agjencia për Rrugë Shtetërore.
Nga Ministria për Transport dhe Lidhje dhe Agjencia për Rrugë Shtetërore paralajmëruan se nga java e ardhshme do të fillojnë punimet rreth rikonstruimit dhe rehabilitimit edhe të rrugës rajonale Kumanovë-Nagushtak.
FATLUM AQIFI
