Maqedoni

Ndërrimet kuadrovike në Qeveri, Zaev: Do të ndërrohen më shumë se tre ministra; Ministrat: Do të respektojmë vendimet e Zaevit

27.05.2019 17:18

LSDM shkarkon komitetin ekzekutiv të partisë, tre sekretarët e përgjithshëm dhe gjashtë nënkryetarët...

LSDM shkarkon komitetin ekzekutiv të partisë, tre sekretarët e përgjithshëm dhe gjashtë nënkryetarët, Oliver Spasovskin, Frosina Remenskin, Damjan Mançevskin, Petre Shilegovin, Muhamed Zeqirin dhe Bllagojçe Boçvarskin.
 
Sekretar i përgjithshëm në vend të Aleksandar Kiracovskit do të jetë ministri i bujqësisë, Lupço Nikollovski, i cili do lë këtë dikaster.
 
Kryeministri Zaev deklaroi se po ndodhin ndryshimet e premtuara duke ndjekur nevojat e qytetarëve. Rreth ndryshimeve në ekzekutiv, Zaev paralajmëroi ndërrimin e më shumë se tre ministrave me kuadër të ri. Nga “fshesa”, Zaev nuk do të kursejë as zëvendësministrat.
 
“Duke pasur parasysh se deri më tani janë ndërruar gjashtë ministra, të kulturës, drejtësisë, arsimit dhe tre ministra pa resorë, unë jam afër numrit të përgjithshëm të 1/3-ës që do të thotë se do të shkojmë me zgjedhje të qeverisë, pasi që nëse ndërrojnë vetëm dy ose më shumë se dy, e mbushim limitin e 1/3-ës që të ketë rikonstruim të qeverisë, që do të thotë se do të ketë më shumë se tre ministra”,- kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zëvendësi i Zaevit, i angazhuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev, e konsideron si normale përjashtimin eventual nga qeveria.
 
“Gjithkush që ka marrë funksion shtetëror duhet të jetë i vetëdijshëm se një ditë këtë funksion edhe do ta lë, dhe këtë nuk e shoh si tragjike. Personalisht jam i relaksuar”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
Edhe ministrat, Oliver Spasovski i MPB-së dhe Goran Sugarevski i Transportit dhe Lidhjeve, thonë se respektojnë vendimet e kryeministrit.
 
“Kjo është kompetencë e kryeministrit, si për formimin e qeverisë ashtu edhe për çfarëdo ndryshimi tjetër që shpresoj të ndodhin ditëve në vijim. Kemi biseduar por për këtë do të vendos kryeministri”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
 
“Ne flasim hapur për të gjitha çështjet që kanë lidhje me kompetencat tona, pasi që bëhet fjalë për interesa shtetërore, andaj do të respektoj çdo vendim të kryeministrit”,- deklaroi ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.
 
Për ministrin e vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu, kuadër i RDK-së, valid do të jetë vendimi që do të dalë pas bisedimeve të gjithë anëtarëve të koalicionit qeverisës.
 
“Çdo vendim i cili do të merret nga partnerët e koalicionit, do të respektohet nga të gjithë ministrat, pasi që ne jemi në funksion të zbatimit të programeve, të kontribuojmë në zhvillimin e shoqërisë dhe jo të komentojmë se kush do të përjashtohet nga qeveria”,- tha ministri i pushtetit vendor, Suhejl Fazliu.
 
Zaev paralajmëroi ndërrime edhe të drejtorëve të institucioneve, ndërkaq kryetarët e komunave të cilët nuk kanë realizuar sukses i ftoi të tërhiqen. Kreu i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i dorëhequr nga posti i nënkryetarit të partisë, thotë se në politikë nuk ka të përjetshëm.
 
“Në politikë asgjë nuk është e përjetshme. Siç erdhëm, në një moment të caktuar do të ikim. Nëse me vëmendje keni ndjekur strategjitë e Qytetit të Shkupit për 1 vjet e gjysmë, do të shihni se çfarë qyteti do të punojë vitin e ardhshëm”,- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Sipas paralajmërimeve, këtë javë vazhdojnë bisedimet midis kryeministrit Zaev me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për emërimet e reja në Qeveri.
 
MERAL ISMAILI