Maqedoni

Dimitrov: Pas zgjedhjeve në BE, Maqedonia e Veriut pret datën e bisedimeve. Pendarovski: BE të vazhdojë politikat e dyerve të hapura

27.05.2019 17:42

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare për Parlamentin Europian, i gjithë fokusi i vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit është drejtuar kah Brukseli...

Derisa Partitë europiane janë të fokusuar në krijimin e shumicë, vendet e Ballkanit e presin me padurim publikimin e Raportit të Progresit, ku do të mësohet nëse Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do t’u jepet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. 
 
Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, nuk pret ndryshim të qëndrimeve të BE-së vizavi Maqedonisë së Veriut, por vetëm ka theksuar se nëse Bashkimi Europian nuk i jep vendit datën për fillimin e bisedimeve, mund ta humbë ndikimin në vendet e Ballkanit dhe rrit mundësinë për ndikim të jashtëm nga Rusia apo Kina në rajon. Këto prononcime ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, i bëri në një intervistë për “Fajneshëll Tajms”. 
                                                                                             
“Brukseli duhet ta njeh këtë atmosferë pozitive dhe duhet ta shpërblen. Vendi ynë ka krijuar një pajtueshmëri dhe atmosferë pozitive në mes etniteteve për sa i përket BE-së dhe do të jetë e turpshme nëse nuk na jepet datë për fillimin e bisedimeve. Ne si vend kemi zgjedhur shumë çështje të hapura me fqinjët dhe mos jepja e datës nga ana e BE-së do ta humbë kredibilitetin e kësaj Qeverie në Shkup dhe do t’i sforcojë ndikimet dhe rrymat nacionaliste. Një vendim negativ për vendin tonë do të jetë dëshpëruese edhe për vendet tjera të Ballkanit të cilat kanë çështje të hapura me fqinjët e tyre dhe po insistojnë t’i zgjedhin ato”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov. 
 
Nga ana tjetër, “Fajneshëll Tajms” përkujton se mbetet të shihet nëse Franca, Gjermania dhe Holanda do t’i mbështesin argumentet e shumë diplomatëve evropianë se vendi i Ballkanik i ka plotësuar obligimet, duke e përfshirë edhe marrëveshjen për emrin me Greqinë.
 
Lobim të fuqishëm edhe në momentet e fundit po bëjnë kryeministri, Zoran Zaev, i cili ndodhet në Slloveni, në konfirmim të mbështetjes sllovene për dhënien e datës së për RMV-në. Ndërsa zëvendëskryeministri, Bujar Osamani, gjendet për vizitë në Kroaci dhe Hungari.               
                             
Presidenti, Stevo Pendarovski, ka realizuar një takim me ambasadorin e Republikës së Çekisë në Shkup, Mirosllav Toman, me ç’rast ambasadori çek konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për Maqedoninë e Veriut. 
 
“Lidhur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut lart e vlerëson mbështetjen e hapur dhe të qartë të Çekisë, duke shtuar se në periudhën e ardhshme nevojitet të vazhdojë politika e dyerve të hapura, të cilën e ndan edhe Republika e Çekisë, për shkak të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”,- theksohet në kumtesën e Presidencës. 
 
FITIM KRYEZIU