Maqedoni
VMRO-DPMNE: “Fshesa” në parti nuk zgjidh hallet e qytetarit
27.05.2019 18:05
Shkarkimet në kryesinë e LSDM-së, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE i konsideron vetëm si një përpjekje e liderit të partisë...

Shkarkimet në kryesinë e LSDM-së, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE i konsideron vetëm si një përpjekje e liderit të partisë, Zoran Zaev, për të mbajtur pozicionin e tij në parti dhe se të njëjtat nuk paraqesin asnjë zgjidhje për qytetarin.
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski, kërkon që “fshesa” të reflektojë tek institucionet e shtetit.
Ai fillimisht i rekomandoi kryeministrit Zaev të ndiqte vlerat evropiane dhe të japë dorëheqje për shkak të, siç thotë, gjitha ngecjeve që po kalon vendi gjatë dy viteve të fundit nga kjo qeverisje aktuale.
“Zoran Zaev kreu pastrim brendapartiak vetëm për të siguruar pozicionin në parti, sepse ai e di se po shkon në një opozitë të thellë. Kjo është arsyeja pse ai shkarkon të gjithë ata që mund të jenë kundërshtarë në LSDM. Zoran Zaev gjen gabim te të gjithë, vetëm në vetvete jo. Përveç kësaj, shkarkimet nga funksionet e partisë nuk zgjidhin problemet e qytetarëve. Qytetarët janë të pakënaqur me ministrin Spasovski dhe jo me nënkryetarin Spasovski, qytetarët e Shkupit janë të pakënaqur me kryetarin Shilegov dhe jo me nënkryetarin Shilegov. Oliver Spasovski, Damjan Mançevski, Petre Shilegov dhe Bllagoja Boçvarski janë të paaftë dhe deri më tani në menaxhimin e institucioneve nuk kanë treguar ndonjë rezultat”,- tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO thonë se paaftësia nuk mund të mbulohet vetëm me shkarkime në nivel partie, andaj dorëheqjet duhet të pasojnë edhe nëpër funksionet shtetërore, pasi në këtë mënyrë opinioni do të bindet se “fshesa” e paralajmëruar e kryeministrit Zaev nuk është vetëm kozmetike, deklaroi nënkryetari i VMRO-së, Misajllovski.
FLUTURA LATIFI
