Botë
Letra e gjashtë e Ramës dhe reagimi i PD-së
27.05.2019 19:14
Kryeministri, Edi Rama, ka publikuar një letër të gjashtë drejtuar kryedemokratit Basha...

Kryeministri, Edi Rama, ka publikuar një letër të gjashtë drejtuar kryedemokratit Basha, këtë herë duke përcaktuar edhe një vijë të kuqe për pritjen për një përgjigjeje pozitive.
“Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkërisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!”
Më tej, Rama e paralajmëron sërish kryetarin e Partisë Demokratike se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe se socialistët do të qeverisin edhe të paktën për 2 vite.
“Jini i sigurt zoti Lulzim se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim”.
Pas kësaj letre ka reaguar sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
“Edi Rama nuk bën asgjë tjetër, veçse nxit dhunë dhe provokon qytetarët që u ka shkuar thika e pushtetit të tij në palcë”,- shkruan Bardhi.
Ndërkohë opozita ka paralajmëruar protestën e radhës kombëtare të dielën e 2 qershorit.
LULJETA NDOKA
