Austri, kancelari Kurz humb votëbesimin
Parlamenti austriak ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kancelari austriak, Sebastian Kurz...

Mocioni i mosbesimit u mbështet nga ligjvënësit e Social-Demokratëve dhe të partisë së ekstremit të djathtë Liria, e cila ka qenë në koalicion me Kurzin, derisa ky i fundit e ka ndërprerë aleancën me të, javën e kaluar.
Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, duhet të emërojë tani një kancelar për të formuar qeverinë, e cila do të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që pritet të mbahen në shtator.
Kriza politike në Austri nisi dhjetë ditë më parë, si pasojë e shfaqjes së një videoje, që supozohej se tregonte zëvendëskancelarin Heinz-Christian Strache duke i ofruar kontrata një përfitueseje potenciale ruse, në këmbim të donacioneve politike.
Strache, nga Partia Liria, dha dorëheqje nga qeveria më 18 maj. Kurz, udhëheqës i Partisë Popullore të Austrisë, është kancelari i parë në historinë e Austrisë së pasluftës që iu votua mocion mosbesimi.
