GRUEVSKI-ZAEV

Gruevski fiton gjyqin, Zaev bën gati 50 mijë euro

03.09.2014 17:17

Gjykata Themelore 2 në Shkup, ka dënuar me 50 mijë euro kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, për shpifje, lëndim shpirtëror dhe prishje të nderit dhe reputacionit të kryeministrit, Nikolla Gruevski, në rastin për shitjen e “Bankës së Maqedonisë”.....

I gjithë procesi gjyqësor ka mbaruar vetëm për dy seanca, ndërsa sot avokatët mbrojtës kishin edhe fjalët e fundit.

Sipas avokatit mbrojtës të kryeministrit Gruevski, nxjerrja e të dhënave të pavërteta nga Zaev është bërë në interes të përftimit të votave në prag të zgjedhjeve, me qëllim prishjen e nderit dhe reputacionin e kryeministrit. Pala mbrojtëse e Zoran Zaev-it, në fjalët e fundit para Gjykatës tregoi pakënaqësi për zhvillimin e procesit.

Edhe pas insistimit të avokatit mbrojtës të Zoran Zaev-it, Filip Medarskit, Gjykata nuk pranoi që ish-sekretari i VMRO-DPMNE-së të dëshmojë lidhur me audio-incizimet që ia i ka dorëzuar kryetarit të LSDM-së, ndërsa pranoi Jovica Stefanovskin-Nini të dëshmojë në favor të Gruevskit. “Edhe pse Gjykata ka hedhur poshtë audio-incizimin, megjithatë nuk guxon të injorojë si dëshmi”- ka thënë Medarski.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, para disa muajve akuzoi se kryeministri Gruevski personalisht ia ka shitur “Bankën e Maqedonisë” biznesmenit serb, Jovica Stefanovski –Nini, ku sipas tyre, ka marrë 1.5 milion euro para të gatshme.

Duke deklaruar se bëhet fjalë për shpifje, kryeministrit, Nikolla Gruevski, paditi liderin e LSDM-së në rastin “Banka e Maqedonisë”. Edhe pse kryeministri Gruevski fillimisht kërkoi 500 mijë euro, dje avokati i tij zvogëloi shumën në 50 mijë euro.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore 2 në Shkup, avokatët mbrojtës të Zoran Zaev-it paralajmëruan ankesë. (Florije Kamberi, TVM2)