Botë

Aksion policor në disa komuna në Kosovë, lëndohen 5 policë, arrestohen 35 persona

28.05.2019 17:00

Pesë pjesëtarë të policisë së Kosovës janë lënduar, njëri prej të cilëve me armë zjarri...

Pesë pjesëtarë të policisë së Kosovës janë lënduar, njëri prej të cilëve me armë zjarri dhe një me predhë, si pasojë e kundërshtimit të një aksioni policor në veri të Kosovës për arrestimin e pjesëtarëve të një grupi kriminal, të dyshuar për kontrabandim me mallra, keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit e të tjera.
 
Policët janë lënduar gjatë heqjes së barrikadave të vendosura në hyrje të Zubin Potokut, ku lëndime të lehta kanë marrë edhe gjashtë qytetarë serbë.
 
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë aksionit janë arrestuar 19 zyrtarë policorë dhe nëntë qytetarë për të cilët ka pasur urdhër arrest. Po ashtu janë arrestuar edhe shtatë qytetarë që kanë penguar operacionin policor.         
                           
“Policia e Kosovës gjatë këtij aksioni ka hasur në rezistencë të armatosur në hyrje të Zubin Potokut ku grupe të armatosura po mbanin të bllokuar rrugën me anë të barrikadave. Këto grupe kanë sulmuar policinë, me ç’rast një polic është plagosur me armë zjarri, por është jashtë rrezikut për jetë”,- tha ministri i brendshëm i Kosovës, Ekrem Mustafa.
                                                            
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se bëhet fjalë për luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.                                                                                                      
“Është një ndërmarrje e institucioneve të RKS-së për ligj për të luftuar të keqen, për të luftuar fenomenet negative, një aksion i gjerë në RKS, ku ka të arrestuar edhe zyrtarë edhe qytetarë në komuna të ndryshme dhe nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë e boshnjakë. Është i arrestuar edhe një rus që është kamufluar në petkun e një diplomati për të penguar policinë e Kosovës në aksionin e tyre”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.                                                                                             
                
Edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, theksuan se operacioni policor ka në shënjestër individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale, të komunitetit serbë, shqiptarë dhe boshnjakë. Por, kështu nuk mendojnë autoritetet në Beograd. 
 
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, menjëherë ka thirrur Këshillin për Siguri Kombëtare, ndërsa ka urdhëruar vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake.
 
Vuçiq gjithashtu u kërkoi qendrave politike perëndimore që të ndalin Prishtinën, duke theksuar se Serbia nuk do të lejojë pastrimin etnik në Kosovë, por siç ka thënë vetë Vuçiq, edhe NATO, edhe BE kanë theksuar se bëhet fjalë për aksionet policore që kanë të bëjnë me luftimin e krimit.
 
“Si komandant suprem i Forcave të Armatosura kam urdhëruar gatishmëri të plotë luftarake të njësiteve të ushtrisë tonë nëse vjen deri te çfarëdo cenimi të rregullit dhe jetës së njerëzve në veri të Kosovës do ta mbrojë popullin tonë. Jemi të vetëdijshëm për pasojat e rënda katastrofale, jemi të vetëdijshëm se çfarë po ndodh, prandaj do të punojmë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por nuk do të lejojmë që popullit tonë t’i ndodhë Olluja e re”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Ka reaguar edhe zëdhënësja e përfaqësues së posaçme të BE-së për Politikën e Jashtme, Maja Koçijançiç, e cila tha se janë në kontakt me zyrtarët në Prishtinë dhe Beograd, prej të cilëve kanë kërkuar përmbajtje maksimale.
 
Ndërsa ministria e punëve të jashtme e Rusisë, e ka vlerësuar aksionin policor një provokim nga ana e Kosovës.
 
Derisa ambasada ruse në Beograd kërkoi që Kosova menjëherë të lirojë shtetasin e arrestuar rus, i punësuar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
 
Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm dhe shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të anëtarëve të stafit të OKB-së.
 
Pas këtyre reagimeve u njoftua për lirimin e shtetasit rus, i cili siç njoftoi Policia e Kosovës, kishte vendosur automjetin e UNMIK-ut në barrikada. 
 
GYLTENE SINANI