Maqedoni
“Fshesa” e Zaevit, Kostadinov: Emrat e ministrave do t’i publikojë Zaev. Bekteshi: Vazhdojnë bisedimet Zaev - Ahmeti. Stoillkovski: Ndryshimet në LSDM, të panevojshme
28.05.2019 17:33
Ende mbahen enigmë emrat e ministrave të cilët mund të përfshihen nga “fshesa” e Zaevit...

Socialdemokratët pohojnë se procesi i ndërrimeve brenda partisë zhvillohet paralelisht me ato të ekzekutivit. Zëdhënësi, Kostadin Kostadinov, u prononcua vetëm për emërimet e reja të nënkryetarëve të partisë, të cilat do të ndodhin në mbledhjen e radhës të Komitetit Qendror.
Ndërkaq, sot ata publikuan konkursin për zgjedhjen e kryetarëve të organizatave komunale pas shkarkimit të tërësishëm nga Zaev.
“Proceset po zhvillohen paralelisht. Ne si parti mund të flasim për ndryshimet e brendshme partiake dhe gjithçka tjetër që do të thotë ndryshime në ekzekutiv, do të njoftoheni me kohë nga kryeministri, nga qeveria. Mos të spekulojmë me kurrfarë emrash”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Integristët thonë se brenda javës sërish do të ketë takim Ahmeti - Zaev. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, deklaroi se ndryshimet në ekzekutiv do të jenë në frymën e përforcimit të kapaciteteve institucionale për arritjen e rezultateve më të mira në interes të qytetarëve.
“Gjatë javës, lideri i BDI-së, Ahmeti, do të takohet me liderin e LSDM-së, njëkohësisht edhe kryeministër dhe mandatar i qeverisë, ku në mënyrë të detajuar do t’i analizojnë pothuajse të gjitha resorët dhe do të marrin vendimet e duhura me të vetmin qëllim, që të rrisim kapacitetet e institucioneve të cilat mund të kenë ndryshime dhe në atë mënyrë të implementojmë programin me të cilin dhe kemi fituar zgjedhjet si parti, të cilët e përbëjnë koalicionin”,- tha ministër i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
VMRO opozitare ka akuzuar kryeministrin se nuk kujdeset për shtetin, por për rejtingun partiak. Zëdhënësi, Naum Stoillkovski, ka deklaruar se për shtetin nuk janë me rëndësi ndryshimet partiake në LSDM, por mosfunksionimi i shtetit.
“Çlirimi i disa të afërmve të Zaevit nga funksionet partiake nuk është asgjë tjetër përpos manipulimit me opinionin. E gjithë kjo është teatër për nevojat brenda partisë. Republika e Maqedonisë nuk ka kurrfarë dobie nga ndërrimet e brendshme në LSDM, përderisa klani në pushtet e dorëzoi shtetin në duart e mafias”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Ditë më parë, LSDM shkarkoi komitetin ekzekutiv të partisë, tre sekretarët e përgjithshëm dhe gjashtë nënkryetarët.
Zaev paralajmëroi ndërrimin e më shumë se tre ministrave në kabinetin e tij. Emërimet e reja tha se do të jenë kuadër i ri.
MERAL ISMAILI
