Lufta jashtë vendit, burg organizatorëve dhe pjesëmarrësve
Ndryshimet e reja në Kodin Penal, parashohin së paku 5 vjet burg për personat që do të organizojnë apo rekrutojnë persona të tjerë për pjesëmarrje në formacione ushtarake apo paraushtarake në vende të huaja.......

I njëjti dënim parashihet edhe për ata që do të ndihmojnë financiarisht aktivitete dhe formacione të tilla. Ndërkaq, vetë pjesëmarrësit në formacione ushtarake dhe paraushtarake jashtë vendit dhe ata që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në formacione të tilla do të dënohen me së paku katër vjet burg.
Propozim-ndryshimi i parashtruar nga Qeveria, gëzon mbështetjen e deputetëve të shumicës. Artan Grubi, paralajmëroi mbështetjen e BDI-së për këtë propozim-ligj dhe dënoi të gjithë ata që për interesa të caktuara përpiqen që ekstremizmin dhe radikalizmin e individëve dhe grupeve të caktuara ta lidhin me islamin apo kombe të caktuara.
“Ekstremizëm dhe radikalizëm është pjesëmarrja e Forcave Paramilitare Serbe në konfliktin në Ukrainë, apo edhe në luftën në Maqedoni në vitin 2001. Ky Ligj sillet pikërisht për të parandaluar ndërhyrje të tilla dhe pjesëmarrje, si dhe nxitje për pjesëmarrje në konflikte të huaja, ku ne myslimanë e të krishterë nuk kemi vend”- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Problemi është shumëdimensional dhe nuk duhet pritur që normat dënuese të ta zgjidhin atë. Duhet strategji nacionale, ku duhet të përfshihen më shumë aktorë, thotë deputeti Pavle Trajanov.
“Këtu duhet të përfshihen partitë politike, bashkësitë fetare, veçanërisht sektori joqeveritar, mediet, familja dhe gjithë sistemi arsimor. Me një zgjidhje ligjore nuk mund ta zgjidhim problemin. Kjo do të jetë bazë për veprimin e Shërbimeve të Sigurisë, por mendoj se mungon një strategji gjithëpërfshirëse”- theksoi Pavle Trajanov nga LD.
Ligji nuk sanksionon ata pjesëmarrës të cilët kanë shtetësi të shtetit në të cilin formacion marrin pjesë, formacione nën kontrollin e qeverive të njohura ndërkombëtarisht apo organizatave ndërkombëtare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
