Botë

Komisioni Europian, betejë franko-gjermane për pasuesin e Junckerit

29.05.2019 10:41

Franca dhe Gjermania nuk ranë dakord për kandidaturën që duhet të marrë një nga rolet më kyçe të BE-së...

Franca dhe Gjermania nuk ranë dakord për kandidaturën që duhet të marrë një nga rolet më kyçe të BE-së, teksa udhëheqësit e bllokut u takuan në Bruksel pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare. Votimet bënë që blloqet kryesore të qendrës të humbasin shumicën, ndërsa “të gjelbrit” dhe nacionalistët të fitonin terren.
 
Kancelarja gjermane dëshiron që kandidati i qendrës së djathtë, Manfred Weber të zgjidhet president i Komisionit Europian pas kësaj. Megjithatë, presidenti francez, Emmanuel Macron as nuk e përmendi në emër Weberin si një pretendent për pozicionin me shumë ndikim. Komentet e tyre u bënë gjatë një takimi informal të së martës në Bruksel, që përbënte një mundësi për udhëheqësit e BE-së për të diskutuar panoramën e re politike dhe kandidatët që duhet të marrin postet më të larta drejtuese.
 
Zgjedhjet lanë Bashkimin Europian më të fragmentarizuar, ndërsa shanset për arritjen e një konsensusi janë gjithnjë e më të vështira. Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk tha se “Brexit” ishte një faktor vendimtar që bëri që një shumicë dërrmuese e qytetarëve europianë votuan partitë pro-europiane.