Maqedoni

Komisioni Evropian publikon raportin për Maqedoninë e Veriut

29.05.2019 11:05

Komisari evropian për zgjerim, Johanes Han, dhe zëvendëskryetarja e Komisionit Evropian, Federika Mogerini...

Komisari evropian për zgjerim, Johanes Han, dhe zëvendëskryetarja e Komisionit Evropian, Federika Mogerini, sot në Parlamentin Evropian dhe në KE do t’i prezantojnë strategjitë më të reja të zgjerimit të BE-së. Vendi ynë pret sërish të marrë dritë të gjelbër nga Komisioni për datën e fillimit të negociatave me BE-në, datë e cila më vonë duhet të miratohet nga vendet anëtare të BE-së.
 
Raporte do të publikohen edhe për të gjitha vendet tjera nga rajoni. Versioni përfundimtar i këtyre dokumenteve kryesore u finalizua deri mbrëmë vonë në hapësirat e Komisionit Evropian, por Maqedonia Veriore pritet të marrë vlerësime pozitive për përparimin e reformave në shumicën e fushave, duke përfshirë edhe reformat kritike që duhet ta hapin rrugën për negociatat për anëtarësim: gjyqësori, administrata publike, shërbimet e inteligjencës dhe lufta kundër korrupsionit.
 
Përveç Maqedonisë së Veriut, Shqipëria gjithashtu pret sot të marrë dritë të gjelbër për fillimin e negociatave dhe raport pozitiv nga KE, por mbetet e paqartë deri në momentin e fundit nëse të dy vendet do të mbeten me të njëjtin vlerësim nga Komisioni Evropian, duke pasur parasysh jostabilitetin politik në vendin fqinj në muajt e fundit. Mbetet kyç megjithatë vendimi i shteteve anëtare të BE-së për datën e negociatave, vendim që pritet më së shpejti në qershor, por që mund të shtyhet për në korrik apo shtator.
 
Vendet, si Franca, edhe më tej vazhdojnë të kundërshtojnë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor. Edhe pse nuk përjashtohet mundësia që qëndrimet e tyre të zbuten, ende nuk dihet tani për tani nëse dhe çfarë pasoja do të kenë rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian ndaj disponimit dhe vendimeve në Bashkimin Evropian.